Petrovic u takua me kryeministrin e Malit të Zi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i cili po merr pjesë në Konferencën për Evropë Juglindore në Mal të Zi, u takua sot me Kryeministrin e Malit të Zi, Igor Luksic.
Gjatë takimit me kryeministrin malazez, zv.kryeministri Petrovic prezantoi progresin e arritur ne Kosovë, me theks të veçantë për procesin e decentralizmit, zhvillimin ekonomik të vendit si dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Petrovic tha se përveç shumë proceseve tjera të rëndësishme, prioritet I institucioneve të Kosovës mbetet zbatimi I procesit të decentralizmit në veri të Mitrovicës.

Në këtë drejtim Zëvendëskryeministri Petrovic, theksoi se në vazhdën e përkushtimit të qeverisë ndaj pjesës veriore të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprimet për themelimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, nëpërmjet së cilës Qeveria synon të nxisë qytetarët e veriut të marrin pjesë në qeverisjen e tyre, të jetojnë në një mjedis të zhvilluar ekonomik dhe në një shoqëri demokratike, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e zv.kryeministrit Petrovic.

Iniciativat e institucioneve të Kosovës për njohjen dhe përfshirën e komuniteti Malazez në Kushtetutë të Kosovës, u mirëprit dhe u vlerësua lart nga Kryeministri malazez Igor Luksic, si një veprim demokratik i ndërmarr nga politika kosovare, ndërsa u paralajmërua një vizitë e shpejtë e liderëve politikë të Malit të Zi në Kosovë.