Freizer: Veriu, temë qendrore në dialog

Drejtoresha për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se bisedimet Prishtinë-Beograd duhet të zgjerohen edhe me temë qendrore, veriun e Kosovës.
“Ne rekomandojmë që dialogu (i deritashëm) të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut, do të bisedonin veçanërisht për veriun dhe për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia”, ka thënë Freizer.

Freizer e ka vlerësuar si një hap të mirë paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e një Zyre Administrative në veri të Mitrovicës – por ndoshta jo në moment të qëlluar.

“Natyrisht, mendoj se është një hap i mirë që Qeveria në Prishtinë po përpiqet të angazhohet më shumë në veri me theks të veçantë te shërbimet komunale që janë shumë të rëndësishme. Sidoqoftë, shtrohet pyetja se a është ky hapi i duhur në këtë moment”.

“Siç e dini, niveli i besimit ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës është jashtëzakonisht i ulët. Andaj, është esenciale që fillimisht të nisë një dialog ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës, para se të kërcehet në veprime si themelimi i një zyre komunale. Mendoj se është mirë të ndërmerren veprime, por që ato të bëhen hap pas hapi”, ka thënë ajo