Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptian (RAE) në Kosovë janë të diskriminuar në aspektin social dhe ekonomik, thonë përfaqësues të këtyre komuniteteve dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ata tregojnë se këtyre komuniteteve në Kosovë iu shkelen të drejtat thelbësore, se jetojnë në kushte të vështira ekonomike, në pamundësi që të gjejnë punë.
“Pjesëtarët e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptian janë të diskriminuar jo në kuptimin e sigurisë apo të lëvizjes së lirë, por për mos krijimin e kushteve për integrim socio-ekonomik”, thotë për Radio Evropa e Lirë Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Për këtë gjendje jo të mirë të tyre, Shala fajëson institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Një konkludim për këtë diskriminim ka nxjerrë së fundi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Aty thuhet se pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë subjekt i diskriminimit social dhe ekonomik dhe shpesh nuk kanë pasur qasje në higjienën bazike, në kujdesin mjekësor dhe në arsim.
Bekim Syla, nga organizata joqeveritare e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, thotë se kjo kategori e shoqërisë është e lënë pas dore. Sipas tij, këto komunitete diskriminohen në mënyrën më të keqe të mundshme.
“Shumica e familjeve rome, ashkali dhe egjiptiane, jetojnë me asistencë sociale, por kjo asistencë çdo ditë e më shumë nuk po i jepet këtyre familjeve për shkak të kritereve, e ato kritere na diskriminojnë”, thekson Syla.
Nexhip Menekshe, nga Qendra për Integrimin e Komuniteteve Etnike thotë se komunitetet RAE nuk janë të diskriminuara. Kushtet e rënda ekonomike dhe sociale, sipas tij, janë të njëjta si për shumicën e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
“Ne nuk jemi në tregun e punës ashtu siç nuk janë edhe qytetarët tjerë. Papunësia është e njëjtë si te qytetarët tjerë të Kosovës ashtu edhe te komunitetet RAE”, shprehet Menekshe.
Komunitetet RAE njihen zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë dhe sipas Kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera. Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptianë.