Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është duke shqyrtuar seriozisht largimin e të dërguarit të saj Robert Cooper nga procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi.
Burime të ditores Express në Bruksel kanë bërë të ditur se janë duke shikuar mundësitë e zëvendësimit të Robert Cooperin me një diplomat tjetër.
“Dialogu nuk pritet të rifillojë shpejt mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyra e Ashtonit është duke kërkuar një zyrtar të ri që e zëvendëson Cooperin”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Por, diplomati britanik Robert Cooper, i kontaktuar nga Express, nuk ka dashur të flasë për këtë temë me arsyetimin se ende është në pozitën e lehtësuesit. Në fakt ai as nuk e ka pohuar e as nuk ka mohuar mundësinë e zëvendësimit nga pozita e mediatorit.
“Mund t’ ju them se ende jam këtu (në këtë pozitë). Momentalisht nuk jam në zyrë, nuk është momenti për të diskutuar. Faleminderit shumë”, ka thënë Cooper.