Trofeu i EL shkon në Madrid

Atletico Madridi ka triumfuar në finale të Europa League duke e mposhtur Athletic Bilbaon me rezultat 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në Arena Nationala në Bukuresht.
Ekipi kryeqytetas luajti më mirë në fraksionin e parë të lojës duke arritur të realizojë dy gola.
Ishte minuta e shtatë kur Radamel Falcao pranoi një top nga Diego për ta kaluar Atleticon në epërsi.
Kolumbiani Falcao e dyfishoi epërsinë (34’) pas asistimit të Arda Turan dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në gjysmën e dytë, më të mirë në fushë ishin baskët, të cilët u përpoqën ta përmbysnin rezultatin duke krijuar raste, mirëpo nuk mundën ta thyenin mbrojtjen madrilene.
Ndërkohë që Bilbao nuk mund të shënonte, këtë e bëri Atletico me anë të Diegos, i cili fundosi çdo shpresë të baskëve në minutën e 85-të.
Atletico Madridi është fitues i Europa League për edicionin 2011/2012, ndërsa Athletic Bilbao do ta kërkojë një trofe këtë sezon në finale të Kupës së Mbretit kundër Barcelonës.

Maska e Bryant shitet për 67.100 dollarë

Basketbollisti i L.A. Lakers, Kobe Bryant, e ka shitur për 67.100 dollarë maskën për mbrojtjen e fytyrës, të cilën e ka mbajtur në 11 përballje të këtij sezoni.
Gjatë ndeshjes All Star në muajin shkurt, Dwyane Wade pa dashje ia theu hundën 33-vjeçarit, ndërsa mënyra e vetme që basketbollisti më i mirë i të sotmes të luante, ishte mbajtja e maskës mbrojtëse për fytyrë.
Pasi mori leje nga mjekët që ta hiqte, Bryant e nxori në ankand në eBay me çmim fillestar prej 250 dollarësh, mirëpo në fund maska u shti për 67.100 dollarë.
Paratë do t’i jepen fondacionit bamirës “Kobe and Vanessa Bryant Family Foundation”.

Enrique drejt largimit?

Trajneri i Romës, Luis Enrique, do të largohet nga Olimpico pas ndeshjes së fundit sezonale kundër Cesenas – shkruan Corriere dello Sport.
Strategu spanjoll mori drejtimin e Giallorossëve në verën e kaluar, mirëpo ka dështuar të tregohet i suksesshëm.
Sipas Corriere dello Sport, Enrique tashmë i ka njoftuar drejtuesit e klubit rreth largimit të tij, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet të dielën ose të hënën.
Nëse kjo ndodh, atëherë kandidat kryesor është Vincenzo Montella, i cili ia lëshoi pikërisht Luis Enriques vendin për të shkuar te Catania.

Traore: Kam nënshkruar me Milanin

Mesfushori i Nancyt, Bakaye Traore, ka njoftuar se është pajtuar që t’i bashkohet Milanit në fund të sezonit.
27-vjeçari nuk i ka bërë publike detajet e marrëveshjes, ndërsa kalimi i tij në San Siro do të bëhet me parametrat zero, duke qenë se i përfundon kontrata me klubin francez.
“Jam krenar që kam nënshkruar për një klub të madh, i cili ka disa nga lojtarët më të mirë në botë”.
“Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe ky të jetë një hap përpara. Nuk i frikësohem konkurrencës”, ka thënë lojtari nga Mali për RMC.

Tre yje në fanellë, kërkon Camoranesi

Ish-anësori i Juventusit, Mauro Camoranesi, është shprehur i entuziazmuar me triumfin e Zonjës së Vjetër në Serie A.
35-vjeçari, i cili aktualisht mbron ngjyrat e ekipit argjentinas Lanus, kaloi tetë vite te Bianconerët (2002-2010) dhe ishte pjesë e skuadrës që iu morën dy Scudetto dhe që luajti në Serie B.
“Tashmë e kam uruar Alessandro Del Pieron për fitimin e Scudettos. Ishin gjashtë vjet pritje, mendoj se të gjithë janë të lumtur”.
“Nuk ka se çfarë të thuhet për triumfin, Juve nuk humbi asnjë ndeshje”, ka deklaruar Camoranesi për Sky Sport Italia.
I pyetur rreth çështjes së tre yjeve në fanellë (Juventusi ka fituar 30 tituj, ndërsa zyrtarisht ka 28, sepse pas skandalit Calciopoli iu morën dy), mesfushori është përgjigjur: “Për Bianconerët, janë tre yje”.

Kosova përgatitet për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kosova së shpejti do të hapë një konsullatë në Strasburg që zyrtarisht do të merret me punë konsullore në Francë, por misioni i vërtetë i saj do të jetë përgatitja për anëtarësim në Këshillin e Evropës, njofton Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Në tekstin e botuar në uebfaqen e kësaj gazete, thuhet se qëllimi i kësaj ofensive diplomatike të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në këtë këshill deri në fund të vitit 2013.
Pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas FAZ, është duke e nxitur dhe mbështetur Britania e Madhe, e cila prej janarit deri në qershor udhëheqë me këtë këshill, ndërsa pas saj, udhëheqjen e radhës do ta merr Shqipëria.
Ky plan është shfaqur menjëherë pasi u refuzua plani për marrëveshje me UNMIK-un në emër të Kosovës. “Plani i refuzuar ka qenë i pranueshëm për Serbinë, sepse nënshkrimi i marrëveshjeve me UNMIK-un do të thoshte mosnjohja e Kosovës nga Këshilli i Evropës. Por në momentin kur u përzije Rusia, plani u hodh poshtë nga shumica e anëtarëve të këshillit”, shkruan FAZ.
Gazeta e njohur gjermane shkruan se kërkesa e Beogradit drejtuar Rusisë për t’i ndihmuar në bllokimin e Kosovës veç sa e ka përshpejtuar anëtarësimin e këtij shteti të ri evropian në Këshillin e Evropës.
“Ministri britanik për Evropë, David Lidington, në fillim të marrjes së mandatit gjashtëmujor, e kishte mbështetu planin e marrëveshjes me UNMIK-un, mirëpo më pas indirekt kishte paralajmëruar refuzimin e këtij plani dhe mbështetjen e pakursyer për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Dhe derisa Kosova po përgatitet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një zyrtarë i lartë i këtij këshilli, ka deklaruar për FAZ se Rusia ndonjëherë i ndihmon Serbisë më shumë se sa duhet.

Integrimi varet nga ne!

Kosova është e përkushtuar të jetojë në paqe dhe stabilitet duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial ndërmjet veti dhe duke ndihmuar njeri tjetrin në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Kështu ka deklaruar presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e organizuar me rastin e 9 Majit - Ditës së Evropës, ku ishte i pranishëm kryeministri Hashim Thaçi, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, ministra dhe ambasadorë.
“Vlerat dhe sukseset e Bashkimit Evropian me fuqinë transformuese të tyre kanë frymëzuar shumë vende të ndërmarrin reforma në të mirë të qytetarit. Ne, shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kemi mundësinë që me vullnet dhe krenari t’i ndjekim idealet dhe vizionin e Bashkimit Evropian, në rrugën e konsolidimit të brendshëm demokratik, përparimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët drejt Evropës”, tha presidentja.

“E ardhmja demokratike e shtetit tonë ka bazë sistemin e qëndrueshëm juridik që garanton mbrojtjen e qytetarit të bazuar në trashëgiminë Evropiane të ideve politike dhe në praktikat më të mira të vendeve demokratike. Zbatimi i Kushtetutës së bashku me sundimin e rendit dhe ligjit siguron shtetin e së drejtës që mundëson aderimin tonë të sigurt në Bashkimin Evropian”.

“Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është më se e domosdoshme të jetë anëtare e barabartë e të gjitha organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtare duke dhënë kontributin e saj në të gjitha proceset bashkëkohore”.
“Jemi të përkushtuar që të përmbushim të gjitha kriteret dhe obligimet tona në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Qytetarët tanë na kërkojnë, me plotë të drejtë, që me vullnet dhe përkushtim të plotë të vazhdojmë përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe ligjore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, suksesi i integrimit tonë në Bashkimin Evropian varet nga të gjithë ne: institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera presidentja.

Dita e Evropës nuk do të jetë më ditë pushimi

Nga viti i ardhshëm, 9 Maji - Dita e Evropës, nuk do të jetë ditë pushimi. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kjo datë gjithmonë do të jetë festë, por në Evropë nuk mund të shkohet duke pushuar.
“Unë këtë demonstrim të sotëm e kuptoj si një mundësi e jona për të dërguar sinjale të forta, në Bruksel që ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, por pjesë e saj do të bëhemi përfundimisht kur të përmbushim reformat dhe detyrimet”, tha Çitaku.
Në anën tjetër, Organizata Iniciativa për Progres përmes një performance para ndërtesës së qeverisë paraqiti nëntë arsye për të mos festuar në këtë datë. Sipas tyre, Kosova është ende pikë e zezë në Evropë për shkak të papunësisë, mos liberalizimit të vizave etj

SHBA: Serbia të gjejë vrasësit e vëllezërve Bytyçi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara që deri më sot askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999 dhe e fton qeverinë serbe që “pa vonesë t’i vërë përgjegjësit para drejtësisë”, i është thënë agjencisë Beta në Ambasadën Amerikane në Beograd pas shfajësimit të të pandehurve në këtë rast.
 “Vendimi i sotëm, në gjykimin e përsëritur kundër dy të akuzuarve se kanë dërguar vëllezërit Bytyçi në një kamp në Serbinë Lindore, ku edhe janë vrarë, tregon se ata që kanë ndihmuar dhe kryer këto vrasje, ende nuk janë arrestuar dhe s’janë sjellë para drejtësisë”, ka thënë një zyrtarë i Ambasadës amerikane në Beorgrad, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Presim që autoritetet serbe pa vonesa tjera të sjellin para gjyqit të gjithë individët të të gjitha niveleve, që janë përgjegjës për këto vdekje. Ky mbetet prioritet i lartë në marrëdhëniet tona dypalëshe”, citohet të ketë thënë zyrtari i Ambasadës Amerikane.
Vëllezërit Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçi në Serbi janë kapur si robër të luftës, derisa kanë bërë përpjekje, që t’ia shpëtojnë jetën një familjeje rome nga Kosova dhe siç thuhet “janë ekzekutuar” pa gjykimin e duhur.
Dhoma për krime lufte e Gjykatës së Lartë në Beograd ka shfajësuar sërish Sreten Popovicin dhe Millos Stojanovicin, nga akuzat se kanë ndihmuar në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999.
Duke e arsyetuar aktgjykimin, kryetari i panelit, Ratko Popovic, ka thënë se gjatë përsëritjes së procedimeve, nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë ndihmuar personat X në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Më herët, prokuroria, pat thënë se për veprën penale, për të cilën akuzoheshin pjesëtarët e ministrisë së brendshme, parashihej dënimi prej së paku pesë vitesh burg. Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë për shfajësim të Popovicit dhe Stojanovicit.

Policia serbe liron Kastratin, e arrestuan ‘gabimisht’

Haxhi Kastrati është liruar nga burgu i Krushevcit në Serbi, i cili ishte arrestuar më 3 maj.
 Vëllai i Haxhi Kastratit, Bedri Kastrati, i ka thënë të mërkurën KTV-së se Haxhiu është liruar të martën dhe i vetmi shpjegim që i është dhënë atij është se “është arrestuar gabimisht”.
Haxhi Kastrati ishte arrestuar nga forcat policore serbe gjersa vinte nga Austria për në Kosovë nëpërmjet Serbisë

OSBE përfshihet edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve serbe

Zëdhënës i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka thënë se OSBE do të përfshihet edhe në raundit e dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe, që pritet të mbahen më 20 maj në Kosovë.
Gaon ka thënë për radion serbe Kontakt Plus se marrëveshja në bazë të së cilës OSBE ka punuar për zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë dhe ato presidenciale, parashikon që kjo organizatë ta ketë rolin e njëjtë edhe në raunde e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
"Do të punojmë në të njëjtën mënyrë. Do të ketë numër të njëjtë të vendvotimeve dhe qendrave. Në këtë moment duhet të pritet vërtetimi i zgjedhjeve nga Komisioni zgjedhor i Serbisë. Supozoj se atëherë do të paralajmërohet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për president", tha Gaon.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë janë mbajtur në Kosovë më 6 maj, në gjithsej 90 vendvotime. 

Pacolli: I shpenzova vetëm 17.966,63 euro!

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar për Radio “Dukagjinin” se nuk qëndrojnë dyshimet e ngritura kohëve të fundit se ai ka shpenzuar shuma të mëdha të parave nga buxheti i Kosovës.
Ai ka thënë se për një vit të aktiviteteve të tij ka shpenzuar vetëm 17.966.63 euro nga buxheti i shtetit. Ndërsa, pjesën më të madhe të aktiviteteve të tij i ka pagur nga buxheti i tij privat.
“Gjithçka që është thënë ditëve të fundit nuk janë asgjë vetëm se të pavërteta dhe spekulime të cilat janë ngritur kundër meje dhe kundër kontributit e angazhimeve të mia - në kuadër të pozitës sime si zëvendëskryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Unë dëshiroj që t`ju them të gjithë qytetarëve se për një vit të aktivitetit tim nga buxheti i shtetit kam shpenzuar vetëm 17.966,63 euro. Ndërsa, shumë prej aktiviteteve të mia janë mbuluar nga buxheti im privat”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij, “këto spekulime janë një kapitull i mbyllur”.
“Nuk dua të merrem më tutje me spekulimet të mediave të caktuara që po u pengon puna që kam bërë deri më tani në sjelljen e njohjeve të reja për Pavarësinë e Republikës së Kosovës”, shton Pacolli “Nëse çështja e spekulimeve është kapitull i mbyllur, çështja e njohjeve nuk do të jetë asnjëherë e mbyllur dhe unë do të angazhohem në vazhdimësi për të sjellë njohje të reja”.

Raiola përsërit: Ibra nuk largohet!

Zlatan Ibrahimovic nuk planifikon të largohet nga Milani në afatin e ardhshëm kalimtar – ka deklaruara agjenti Mino Raiola.
Po flitet për një pasiguri rreth të ardhmes së suedezit, ndërkohë që mediat italiane kanë raportuar për një takim mes Adriano Gallianit dhe Ibras, me ç’rast shefi ekzekutiv e ka siguruar lojtarin për përforcimin e skuadrës.
Ibrahimovic ka thënë edhe në të kaluarën se dëshiron ta përfundojë kontratën në San Siro, mirëpo ka kërkuar nga klubi që ta sigurojë se do të ndërtojë një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm.
“Plani i tij është të qëndrojë te Milani”, ka thënë Raiola për Il Corriere dello Sport. 

Konfirmohet interesimi i Hamburgut për Kuyt

Shefi i Hamburgut, Carl-Edgar Jarchow, ka konfirmuar interesimin e klubit për anësorin e Liverpoolit, Dirk Kuyt.
Spekulohet se holandezi do ta braktisë Anfieldin në verën që vjen, ndërsa mes opsioneve është edhe kthimi te ish-skuadra e tij, Feyenoord.
“Deri më tash nuk ka pasur bisedime. Duhet të ulemi me lojtarin dhe agjentin e tij dhe të gjejmë një zgjidhje”.
“Niveli i pagave në Ligën Premier është shumë i ndryshëm nga i joni. Duhet të shohim nëse ka gjasa për transferim”, u ka thënë Jarchow gazetarëve.

Joel Obi do të qëndrojë te Interi

Mesfushori i Interit, Joel Obi, do ta vazhdojë karrierën në Giuseppe Meazza – ka thënë agjenti i tij, Renzo Contratto.
Është thënë se nigeriani është njëri nga lojtarët, të cilin Nerazzurrët do ta përfshijnë në kontratën për transferimin e yllit të Napolit, Ezequiel Lavezzi, mirëpo përfaqësuesi i 20-vjeçarit nuk mendon ashtu.
“Tash për tash nuk di asgjë rreth bisedimeve mes Napolit dhe Interit”.
“Shanset janë 99 për qind që klienti im të qëndrojë te Interi. Ata kanë shpresa të mëdha te lojtarët e rinj dhe nuk mendoj se ai do të largohet”, ka thënë Contratto për Radio Kiss Kiss

Finalja botërore e Red Bull Paper Wings 2012 (Foto)

Aeroplanë prej letre të ndërtuar nga konkurrentët e 83 shteteve të ndryshme të botës, pushtuan ambientet e Hangar-7, në Salzburg, Austri, për finalen botërore të Red Bull Paper Wings 2012. Finalistë nga shtete të ndryshme të botës konkurruan në disiplinat “Koha më e gjatë në ajër”, “Distanca më e gjatë e përshkuar” dhe “Fluturimi më akrobatik”. Fitorja i shkoi Republikës Çeke, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Polonisë dhe Libanit.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të këtij kampionati në 2006 dhe 2009, në Salzburg u mblodhën sërish këtë vit hedhësit më të mirë të aeroplanëve prej letre më 5 maj për të shpallur tre kampionët e botës për vitin 2012.
Në kategorinë “Distanca më e gjatë e përshkuar”, Tomas Beck nga Republika Çeke arriti të hidhte aeroplanin e tij 50.37 metër larg, duke u shpallur fitues për këtë disiplinë. Vendi i dytë shkoi në Bonje Hercegovinë, me konkurrentin Almir Kisija dhe podiumi u plotësua me kampionin e botës të vitit 2009, kroatin Jovica Kozlica.
Libanezi Elie Chemaly arriti kohën maksimale të mbajtjes së aeroplanit në ajër, me 10.68 sekonda, duke u shpallur fitues në disiplinën “Koha më e gjatë në ajër”.
Puna më e vështirë për jurinë ishte gjykimi për kategorinë “Fluturimi më akrobatik”, ku pjesë e panelit ishte tre-herë fituesi i Lojërave Olimpike, skiatori Thomas Morgenstern. Të pestë anëtarët e jurisë vendosën të vlerësonin me maksimumin e pikëve, jo një, por dy prej konkurrentëve, të cilët ishin amerikani Ryan Naccarato dhe polaku Tomasz Chodryra, duke ndarë së bashku vendin e parë në podium.
Edhe flamuri i Kosovës u valëvit në këtë konkurs botëror, duke u përfaqësuar nga: Ajet Basholli në disiplinën “Distanca më e gjatë e përshkuar”, Flakron Miftari për “Fluturimin më akrobatik” dhe Gëzim Hajrullahi për “Kohën më të gjatë në ajër”.
Rezultatet e disiplinës “Koha më e gjatë në ajër”:
1. Elie Chemaly (Liban), 2. Goekhan Emiroglu (Turqi), 3. Robi Fiser (Slloveni).
Rezultatet e disiplinës “Fluturimi më akrobatik”: 
1. Tomasz Chodryra (Poloni), 1. Ryan Naccarato (SHBA), 3. Alfredo Ramirez (Kolumbi).
Rezultatet e disiplinës “Distanca më e gjatë e përshkuar”: 
1. Tomas Beck (Republika Çeke), 2. Almir Kisija (Bosnie), 3. Jovica Kozlica (Kroaci).

Farfan: Refuzova Bayernin dhe Juven

Anësori i Schalkes, Jefferson Farfan, ka bërë të ditur se ka refuzuar oferta nga Bayern Munichu dhe Juventusi për të qëndruar në Gelsenkirchen.
Peruani ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare me klubin gjerman, e cila do ta mbajë te Schalke deri në vitin 2016.
“Kemi folur shpesh me Bayernin. Një interesim i tillë më bëri shumë të lumtur. Kam ëndrrat e mia dhe do t’i arrij ato te Schalke”.
“Juventusi është një klub i shkëlqyer, por atje luhet tjetër futboll. Do të duhej të riinvestoja te vetvetja nëse do të kisha shkuar atje. Në përgjithësi, Schalke është më atraktive se Juventusi”, ka deklaruara Farfan për Sport Bild

Merr ofertë nga Playboy – po e shqyrton (Foto)

Rihanna ka marrë një ofertë milionëshe që të zhvishet për revistën Playboy, ndërsa këngëtarja është duke menduar rreth ofertës dhe pasojave.
Bosi i revistës për meshkuj, Hugh Hefner, konsideron se 24-vjeçarja mund të thyejë rekordet e shitjes për shkak të popullaritetit të madh që ka.
Emirates247 citon burimet të kenë thënë se krijuesja e hitit “We Found Love” është e interesuar, mirëpo frikësohet për ndikimin që mund të ketë te fanset e saj të reja.
Ndryshe, të hënën mbrëma Rihanna është dërguar në spital, pas një ndeje në New York, me ç’rast ishte rraskapitur dhe dehidruar. Megjithatë, pas trajtimit që ka marrë nga mjekët ajo është lëshuar në shtëpi.
Këngëtarja publikoi në Twitter një fotografi ku shihej duke marrë infuzion.

Bieber përfundon shkollën e mesme

Superylli i të rinjve, Justin Bieber, tashmë e ka mundësinë të përqendrohet vetëm në karrierën e tij muzikore, pasi që e ka përfunduar shkollën e mesme.
Edhe pse gjatë gjithë kohës së shkollimit ka udhëtuar nëpër botë, Justin ka arritur që ta përfundojë shkollën, ndërsa për këtë më meritore është nëna e tij.
Kuptohet, gjatë turneve ai ka pasur arsimtarin privat me vete, i cili e ka mësuar gjatë ditëve kur nuk ka pasur koncerte.
“E kam dhënë testin e fundit në shkollë dhe tash jam i lirë! Ka qenë vështirë të mësoja çdo ditë”, citon The Sun fjalët e këngëtarit.

Beyonce: Dua më shumë fëmijë

Pasi ka sjellë në jetë fëmijën e parë, Beyonce Knowles dëshiron të ketë edhe fëmijë të tjerë.
“Padyshim që dua të kem më shumë fëmijë. Nuk e di sa, atë e di vetëm Zoti, ndërsa unë nuk e di ende”, ka thënë Beyonce.
Këngëtarja 31-vjeçare dhe burri i saj Jay Z në janar u bënë me vajzë, të cilën e pagëzuan Blue Ivy

Samsung Galaxy S III, telefoni zyrtar i Lojërave Olimpike

Telefoni më i ri i Samsung në Android, Galaxy SIII është emëruar si telefoni zyrtar i Lojërave Olimpike 2012, ndërsa prodhuesi më i madh i telefonave në botë, Samsung ka arritur marrëveshje me Visa për të ofruar pagesat e bazuara në NFC, payWave.
Samsung dhe Visa do të lansojnë edhe edicionin e limituar të Samsung Galaxy S III Olympic, gjatë kohës kur mbahen lojërat olimpike, edhe pse ky model thuhet se do të jetë në dispozicion vetëm për atletët që marrin pjesë në këtë garë botërore.
Atletët e olimpiadës do të mund të përdorin funksionin payWave të mundësuar në Samsung Galaxy S III Olympic për të bërë pagesa, ndërsa Visa është duke planifikuar të ketë rreth 140 mijë pika terminali pa kontakt, anembanë Mbretërisë së Bashkuar

Serbia do të ketë rol në dialogun për veriun

Serbia do të ketë rol në dialogun e ardhshëm, ngase bashkëkombës e saj jetojnë në Kosovës, ka thënë përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar. Sipas tij, duhet të ketë një plan për veriun, por që për të duhet të vendos Prishtina.
Në Ditën e Evropës, Zbogar ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur për t’i bindur serbët e veriut se Kosova është multietnike.
“Populli e Qeveria e Kosovës e di më së miri se si duhet t’i stimulojnë qytetarët në veri, për t’i bindur ata se Kosova është e përkushtuar për shoqëri multientike”, ka thënë ai.
Sipas tij, është herët të flitet se çfarë roli mund të ketë Serbia në dialogun e ardhshëm për veriun.
“Duke pas parasysh që ka qytetarë serbë në Kosovë, mendoj se Serbia do të ketë një rol në dialogun e ardhshëm. Esenca është që të zgjidhet çështja në veri”, ka thënë Zbogar.

Qeveria forcon kontrollin e informatave

Qeveria e Kosovës ka vendosur ta forcojë kontrollin e brendshëm të shfrytëzuesve të internetit. Nga e mërkura (sot) asnjë nëpunës qeveritar nuk do të mund të krijojë qasje në internet me llogari elektronike private. Nëse duan të shkëmbejnë ndonjë e-mail apo të shfletojnë ndonjë ueb faqe atyre u duhet të logohen me username/fjalëkalim të domainit shtetëror.
Zyrtarë brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se ky kontroll do të ushtrohet nga Departamenti i e-Qeverisjes dhe Proceseve Administrative me qëllim të aktivizimit të rregullit të autentifikimit të shfrytëzuesit për qasje në internet.
“Aplikimi i këtij sistemi përveçse e ngrit nivelin e sigurisë të sistemit shtetëror të teknologjisë informative, e rrit edhe kontrollin e transfereve të dokumenteve nga institucionet qendrore në adresa private apo edhe në media”, ka thënë një zyrtar i lartë institucional. “Në bazë të këtij sistemi, dihet saktë se kush ku çka ka dërguar”, ka shtuar ky zyrtar, njofton Koha.
Për futjen e kësaj mase sigurie në Qeveri, tashmë janë njoftuar të gjithë punonjësit e ministrive. 

Thaçi uron qytetarët për Ditën e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Thaçi në mesazhin e urimit, shprehu bindjen e plotë që Republika e Kosovës do ta festoj këtë festë në një periudhë të afërt si shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
“Kosova ka filluar ta përmbushë këtë ëndërr shumë shekullore me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Jam i përkushtuar që në emër të Qeverisë që udhëheq dhe në emrin tim të punoj në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të nevojshme që Kosova ta zë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane”, shprehet Thaçi.
Ai më tej, thekson se 9 Maji, Dita e Evropës ka një rëndësi të madhe simbolike për gjithë Evropën, por edhe për vetë Kosovën. Kjo ditë, sipas tij, shënon paqe në Evropë, themelimin e një Unioni supranacional, në shërbim të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të Evropës dhe respektimin e diversitetit, duke e shndërruar atë në vlerë.
“Republika e Kosovës si shteti më i ri në mesin e popujve të Ballkanit po punon në drejtim të krijimit dhe forcimit të vlerave evropiane në këtë rajon. Për Kosovën kjo ditë do të shërbejë si simbolikë shumë domethënëse e zhvillimit të rajonit si tërësi në frymën evropiane, bashkëpunimit reciprok ndër-shtetëror, bazuar në parimet fundamentale të barazisë mes popujve, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, për ecjen drejt një të ardhme prosperuese për të gjithë popujt tanë”, shprehet Thaçi.
Për Thaçin, falë mbështetjes së Bashkimit Evropian Kosova ka tejkaluar me sukses fazën e rindërtimit dhe atë të tranzicionit.
“Tashmë Kosova po hyn në nja fazë të re, në fazën e zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit të institucioneve demokratike. Me përfundimin e Studimit të Fizibilitetit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit këtë vit do të arrijë të kalojë nga shteti potencial në shtet kandidat për integrim në BE. Në këtë moment të rëndësishëm të shënimit të Ditës së Evropës, dëshiroj të falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha partitë politike, shoqërinë civile dhe të gjithë kontribuuesit tjerë në përkrahjen e vazhdueshme për ndërmarrjen e reformave të nevojshme të procesit të integrimit”, shprehet kryeministri, Hashim Thaçi. 

Haliti: Prokuroria të më hetoj për akuzën e Hotit

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka reaguar të mërkurën lidhur me akuzat e Agim Hotit, se Haliti e ka urdhëruar atë të kryej atentat ndaj ish –presidentit Ibrahim Rugova, duke e cilësuar si shpifje.
Ai i ka bërë thirrje publike Prokurorisë së shtetit që ta hetoj për akuzën e Hotit ndaj tij.
“Dëshiroj të sqaroj opinion publik se akuza që bën ndaj meje qytetari i panjohur për mua, Agim Hoti, në gazetën ‘Express’ të datës 9 maj, se gjoja unë e paskam urdhëruar atë të kryej atentat ndaj ish –presidentit Ibrahim Rugova, është një shpifje e radhës kundër meje. Agim Hotin, kurrë nuk e kam takuar, kurrë nuk kam pirë qoftë edhe një kafe me të, e as që ia kam dhënë dorën ndonjëherë. Jam i bindur se e Hoti i porositur nga dikush tjetër, duke shpifur ndaj meje, ka për qëllim që të më dëmtoj në opinion”, shprehet Haliti.
Agim Hoti ka thënë për gazetën “Express”, se është autor i dy tentim atentateve ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova. Nga burgu i Dubravës, Hoti thotë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj. Për këto pretendime thotë se ka fakte që do t’ua tregojë edhe hetuesve.
Derisa po vuan dënimin e tij në burgun e Dubravës, për një atentat tjetër, ndaj Anton Berishës, ish-shefit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Hoti thotë se ka vendosur t’i hedhë në shesh të gjitha ato që ka bërë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

E duam UP-në, jo UPDK-në

Aktivistët e Lëvizjes “Studim Kritikë Veprim”, kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
“Universiteti i Prishtinës është kapur nga pushteti. Përmes kontrollit të shtruar nga mekanizmat e vëna si Këshilli Drejtues politik, që zgjedh rektorin politik e i cili shtrinë ndikimin e interesave politike të pushtetit të cilit i takon, UP po mbushet edhe në strukturën e vet akademike me njerëz të pushtetit”, ka thënë aktivisti Qendrim Allaqi.
Sipas tij, agjentët e shërbimeve sekrete po futen si personel akademik në UP.
“Ish agjenti i SHIK-ut dhe aktualisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu-Kamishi po futet si profesor-asistent në Universitet, duke mos e plotësuar asnjë kriter statutor të UP-së, por duke plotësuar kushtin kryesor të mekanizmave që e kontrollojnë UP-në: atë të të qenit njeri i pushtetit.
Alliqi thotë se me Këshillin Drejtues të PDK-së, me rektorin e PDK-së, me profesorë si ministra e deputetë të PDK-së, tash me simbolin qesharak të SHIK-ut të PDK-së - Kamishin - UP është bërë UPDK.
“Rruga që keni zgjedhur për në UPDK është rrugë që kalon mbi Statutin, Ligjin dhe normat shoqërore të Republikës. Prandaj, ne do t’ju ndalojmë me të gjitha format e organizimit studentor. Studentët e UP-së, bashkë me shumë profesorë të vullnetshëm për universitet të mirëfilltë do ta mbrojnë UP-në... Studentët e duan UP-në. Nuk e duan UPDK-në. UPDK është e paligjshme. E vetmja mënyrë për të mbërritur te UPDK është duke shkelur në Statutin e UP-së dhe ligjet e Republikës. Kjo rrugë çon në shkatërrimin e sigurt të shoqërisë sonë. Ne, do ta ndalojmë këtë shkatërrim”.

Ranieri të rikthehet te Fiorentina?

Claudio Ranieri është duke u lidhur me detyrën e trajnerit të Fiorentinës.
Viola është duke kërkuar trajner të ri pasi shkarkoi Delio Rossin javën e kaluar pas një përplasje të tij me Adem Ljajic.
Nëse arrihet një marrëveshje, Ranieri do të rikthehej në Firencë pas 15 vitesh, pasi fitoi Kupën dhe Superkupën e Italisë gjatë periudhës nga viti 1993 deri në vitin 1997.
Ish-menaxheri i Chelsea po ashtu ka shprehur interesim të marrë nën drejtim klubin anglez West Bromwich Albion.

Barcelona të zgjedhë Alban në vend të Bale?

Barcelona raportohet se është gjithnjë e më afër për të nënshkruar me mbrojtësin e Valencias, Jordi Alba.
Ish-lojtari i juniorëve të Barcelonës ende nuk ka arritur marrëveshje të re me Valencian, duke lënë kështu derën e hapur për një rikthim në Nou Camp këtë verë.
Anësori i Tottenhamit, Gareth Bale, është caku kryesor i Blaugranëve për pozitën e mbrojtësit të majtë, por vlera e tij prej 30 milionë eurosh është shumë e lartë për klubin spanjoll.
Barca shpreson ta transferojë Alban për rreth 12 milionë funte. 

Vidal: Nuk mendoj për Realin

Arturo Vidal thotë se ai është i fokusuar te Juventusi dhe dëshiron ta fitojë Kupën e Italisë dhe nuk është duke menduar për Real Madridin.
Drejtues të kampionit të ri të Italisë zbuluan së fundi se Madridi ishte interesuar për mesfushorin kilian, por se ata nuk kanë synime ta lejojnë atë të largohet. Tash edhe Vidal ia ka premtuar të ardhmen e tij klubit.
“Jam shumë i kënaqur me gjithçka këtu. Jam pjesë e një skuadre të fuqishme si Juventusi. Nuk mendoj për Real Madridin. Jam në kampionatin italian dhe objektivi im i radhës është ta fitoj Kupën e Italisë me Juventusin”.
“Të fitoj trofe këtu është një realizim ëndrre. Kam treguar se jam një lojtar i madh. Kam fituar tituj me Colo Colo më herët, por të fitoj një titull lige këtu në Evropë, është diçka e veçantë”, ka thënë Vidal për Tuttosport.

Martinez dëshiron të shkruajë histori me Bilbaon

Javi Martinez është duke kërkuar të shkruajë histori me Athletic Bilbao derisa shpreson ta mposhtë Atletico Madridin në finalen e sotme të Europa League që zhvillohet në Bukuresht.
“Ne jemi një prej klubeve më të rëndësishme në ligën spanjolle dhe jo vetëm sepse pak skuadra në botë kanë qëndruar në divizionin e parë gjatë gjithë historisë së tyre”.
“Nëse klubet si ky kurrë nuk e kanë fituar kampionatin evropian dhe ata kanë shans tash, kjo do të ishte një kujtim i mirë për të ardhmen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kjo është se pse e shohim këtë finale si diçka historike”.
“Atletico është një klub i vështirë të luash kundër tyre pasi që nga arritja e Diego Simeone ata kanë filluar të luajnë me shumë agresivitet. Është vështirë t’i mposhtësh ata”, ka thënë Martinez për faqen zyrtare të UEFA-së.

Prandelli plot lëvdata për Napolin

Përzgjedhësi i Italisë në futboll, Cesare Prandelli, ka lavdëruar skuadrën e Napolit.
Prandelli është duke vizituar secilën fushë të klubeve të Serie A në prag të fillimit të kampionatit evropian Euro 2012, për të biseduar me trajnerët dhe lojtarët.
“Kur një klub arrin rezultate të cilat janë superiore krahasuar me ato që priten, kjo do të thotë se klubi po arrin qëndrueshmëri”.
“Një klub i vërtetë i cili dëshiron të zhvillohet me një projekt fitues është ai i cili përmirësohet vit pas viti. Në këtë aspekt, Napoli ka dëshmuar se është një projekt fitues”, ka thënë Prandelli pas një takimi me trajnerin e Napolit, Walter Mazzari.

Di Matteo mbron formacionin anti-Liverpool

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, nuk është penduar për ndryshimet që ka bërë në skuadër për ndeshjen e mbrëmshme ndaj Liverpoolit.
Blutë u mposhtën 4-1 në Anfield për të humbur shpresat për top katërshe.
“Ne kemi ardhur deri këtu pasi kemi harxhuar të gjithë energjinë dhe të gjithë lojtarët që kemi në skuadër, kjo ishte e vetmja mënyrë për të qëndruar në garë për pozitën e katërt deri tash dhe për t’u kualifikuar për këto dy finale”.
“Nuk kam pendime, Liverpooli është një vend tjetër kur luhet këtu dhe ne takuam një Liverpool shumë të inspiruar”.
“Ne kemi pasur ndeshje shumë të intensifikuara, një të fundit vetëm tre ditë më parë. Për ta bërë këtë çdo tre ditë... është shumë kërkuese për secilin. Mendova se me këmbë më të freskëta dhe energji të re ne mund të kishim shanse më të mira. Por Liverpooli sonte ishte më i mirë”, ka thënë Di Matteo për Sky Sports 1.

Shakira marrëveshje 60 milionëshe me Sonyn?

Shakira dhe promovuesi i koncerteve Live Nation raportohet se janë afër për të arritur marrëveshje të re me Sonyn e cila kap vlerën e 60 milionë dollarëve.
Krijuesja e hitit “Hips Don't Lie” do të vazhdojë të jetë një prej yjeve që fitojnë më së shumti në industrinë e muzikës nëse ajo dhe kompania Live Nation përmbyllin marrëveshjen me Sonyn, e cila do t’i shohë dy kompanitë të punojnë së bashku në projektet e ardhshme të këngëtares, përfshirë edhe tre albume të reja.
Shakira është një prej superyjeve të paktë, përshirë Madonnan dhe Jay-Z, që kanë lënë anash kompanitë e tyre për të nënshkruar kontrata të bujshme me Live Nation, që do të fitojë një pjesë të të ardhurave nga produktet e tyre, sponsorizimet dhe koncertet.
Bukuroshja kolumbiane më herët (në vitin 2008) ishte larguar nga Sony për të nënshkruar marrëveshje dhjetëvjeçare me Live Nation, që vlerësohet të jetë diku nga 70 deri në 100 milionë funte.

Rita Ora, krenare për rrënjët e saj shqiptare

Në një intervistë për The Sun, Rita Ora flet se si prindërit e saj i shpëtuan gjenocidit në Kosovë. Ajo është krenare për familjen e saj dhe popullin shqiptar, madje shpreson ta inkorporojë muzikën e Kosovës në tingujt e saj. "Unë flas rrjedhshëm shqip, sepse e kemi folur në shtëpi”, thotë Rita, e cila mendon të mbajë koncerte në Kosovë dhe ta ndihmojë vendin e saj.
Intervistat e para janë gjithmonë të sikletshme, sidomos kur mega-ylli i muzikës hip-hop, Jay Z, i shtron pyetjet. Por, këngëtarja britanike Rita Ora padyshim se mbeti e impresionuar për takimin me reperin amerikan: ajo nënshkroi kontratë me labelin e tij. Tashti, singli debutues i 21 vjeçares është në rrugën për të arritur në vendin e parë në këtë vikend.
Londinezja me këmbët për toke - e cila ishte vetëm 17 vjeçe kur iu bashkua labelit të Jay-Z, “Roc Nation – thotë: “Këndoja në bare të Londrës dhe në fund dikush më vuri në kontakt me Jay Brown-in, dorën e djathtë të Jay-Z”.
"Ia dërgova ca muzika dhe ai kërkoi të fluturoja për në New York. Ishin dy javë deri te ditëlindja ime e 18-të, por fluturova e vetme deri atje”, thotë Rita Ora për The Sun.
"Kam qenë shumë nervoz. Por, gjëja e mirë ishte se unë nuk e dija se do ta takoja atë natë Jay-Z. Po ta dija këtë do të kisha sulm në zemër gjatë rrugës për në aeroport. Ishte befasi. Më thanë se do ta takoja ekipin e tij. Eca në dhomën e tij e ai ishte aty. Kisha të veshur një fanelle të Run-D.M.C., dhe flokët e këmbët i kisha të lagura, sepse binte shi. Isha e lodhur. Nuk ishte momenti ideal. U futa brenda, e pashë dhe thash: ‘Oh, më duhet ta bëj’. Thash ‘hey’ dhe ia ofrova dorën”.
Drejt majave... Rita Ora
Super-ylli i muzikës hip-hop nuk ishte i shqetësuar nga këmbët e lagura - ai u bë bosi i saj që nga ajo ditë. Dhe ishte Jay-Z që shkoi me Ritën në radion njujorkeze Z1000, kur e ka debutuar singlin e saj të parë për audiencën amerikane, në shkurt të këtij viti.
Rita thotë: "Jay-Z është bos i mahnitshëm. Ai dëshiron që çdo gjë të funksionojë dhe që kompania e tij – “Roc Nation” – të jetë e suksesshme”.
"Ai është përfshirë sa ka mundur. Edhe pse gjithmonë është në turne, ai është në email dhe në telefon. Ndjehem shumë e privilegjuar që ai punon me mua”.
Me bosin e saj... Jay-Z
Por, jeta e Ritës ka mundur të jetë ndryshe nëse familja e saj nuk do të vendoste të largohet nga vendlindja e tyre, Kosova, atëherë kur ajo ishte foshnje. Diktatori brutal serb Slobodan Milloshevic persekutonte shqiptarët, si familjen e Ritës. Kështu që ata ia mësynë Londrës.
Ajo thotë prindërit e saj i kanë shpëtuar gjenocidit: "E lash Kosovën kur isha një vjeçe. Isha e lumtur që nëna dhe babai im ikën herët”.
Prindërit e saj ishin në mesin e dhjetëra-mijërave që ikën në vitet ’90 për të shpëtuar nga konflikti që eskalonte tmerrshëm.
Rita shton: “Kur kemi ardhur në Londër, babai im nisi të punonte në restorante. Nëna ime ishte mjeke në Kosovë, por nuk dinte anglisht. Kështu, është dashur të studiojë sërish gjithçka, ta mësojë anglishten dhe të më rrisë mua, vëllanë dhe motrën. Vërtet e admiroj për këtë. Tani ajo është psikiatre dhe e ka pavijonin e saj në Londër".
Rita është e krenare për rrënjët e saj - aq shumë sa që ajo shpreson ta inkorporojë një ditë muzikën e Kosovës në tingujt e saj.
E kaluara e dhimbshme: Refugjatët shqiptar më 1999.
Këngëtarja shpjegon: "Unë flas rrjedhshëm shqip, sepse e kemi folur në shtëpi”.
"Jam kthyer shpesh herë në Kosovë. Kur dikush bënë diçka jashtë vendit tonë është punë e madhe, sepse fatkeqësisht nuk ka shumë mundësi atje. Kam dëshirë të përkthehet muzika kosovare në albumin tim. Kam mundur, por nuk ka funksionuar ende. Do ta bëj. Dhe definitivisht dua të bëjë koncerte atje në të ardhmen dhe të grumbullojë fonde”.
Rita në koncert
Singli i saj i parë R.I.P. është një pop urban. Është shkruar nga reperi kanadez Drake, përfshinë yllin britanik Tinie Tempah, ndërsa producentë ishin dueti i muzikës dance, Chase And Status.
Duke qenë e “mbrojtur” nga Jay-Z, kjo ia hapi dyert për bashkëpunime me emra të mëdhenj. Dhe, kjo e ka vënë Ritën në situatën të cilën shumë artistë nuk e përjetojnë derisa nuk i fitojnë me vite “gradat” në muzikën pop.
Ajo shpesh përmend emrat kryesor, përfshirë gruan e Jay-Z - Beyonce.
Rita thotë: "Unë pashë Beyonce ditën tjetër dhe ajo kishte vajzën në duar. Ishte e mahnitshme”.
Reperi Kanye West është një tjetër mik i saj.
Ajo thotë: "Kanye është një qen i punës... Kanye i ka hapur sytë e mi drejtë shumë gjërave të reja në muzikë”.
Këtë verë ajo do të mbështesë yjet globale, rok rupin “Coldplay”, në turnetë e tyre evropiane.
Ajo thotë: "E kam takuar Chris Martin-in dhe gruan e tij Gwyneth Paltrhow disa herë përmes Jay-Z. Çiftet janë miq të mirë. Chris gjithmonë flet për muzikë dhe pyet se çfarë bëj. Ai kujdeset".
Por, asgjë nuk e ka përgatitur atë për takimin me heroin më të madh të saj muzikor - Stevie Wonder.
Rita tregon: "Unë kam qenë në dhomën e zhveshjes së Jay-Z në një shfaqje në LA dhe Stevie Wonder erdhi për të thënë 'hi'. Ky ishte një moment epik. Ishte aq e mahnitshme dhe surreale. Unë jam një vajzë nga Londra Perëndimore, e lindur në Kosovë, që e sheh Stevie-n tek thotë ‘Ho’”.
Ishte një vjeçe kur iku nga Kosova... Rita Sahatçiu alias Rita Ora
Stevie nuk ishte arsyeja e vetme pse mbrëmja e koncertit të -Z dhe Kanye West doli të jetë natë e mirë – ajo e takoi aty të dashurin e përfolur, Rob Kardashian, vëllanë e Kim Kardashian.
Rita me mjeshtëri shmanget në pyetjet për lidhjen e mundshme, por nuk i fsheh ndjenjat për Robin.
Ajo thotë: "i takova motrat e Robit në të njëjtën shfaqje në LA. Unë jam një tifoze e madhe shout të kardashianëve. Ju thashë se më pëlqen shfaqja dhe ju thash se janë tërheqës në jetën reale. Rob erdhi në ndejën e pastajme dhe ato më njoftuan me të. Kemi kuptuar se kemi miq të përbashkët... dhe përfunduam të sillemi afër njëri-tjetrit. Është djalë i mirë. Unë veç kam dalë me të”.
Pavarësisht nga miqtë e listës A, Rita, që ka shkuar në shkollën e teatrit Sylvia Young të Londrës, është e thjeshtë dhe normale. Kur ajo hyri në zyrën e The Sun për këtë intervistë, nuk ishte e rrethuar me të tjerë, ndërsa e solli një kuti çokollatash si dhuratë, duke na falënderuar për ftesën që ia kemi bërë.
Gjatë intervistës për ditore The Sun
Por, do të ishte e lehtë për të që të jetonte si një diva, sidomos kur shumica e quajnë “Rihanna britanike”.
Ato të dyja punojnë për Jay-Z, kanë gjithashtu stil të ngjashëm të tingullit dhe janë shumë të bukura. Ka pasur thashetheme për përçarje mes tyre, për gjoja vëmendje më të madhe të mentorit të tyre. Por, nëse ka problem, Rita nuk e shfaq.
Ajo thotë: "Më pëlqen krahasimi. Është kompliment. Është më mirë të krahasohem me të se me dikë tjetër. Është tërheqëse dhe e bukur. E mira është se e kemi parë se si rritet në artiste. Ndërlidhem me rrëfimin e saj. Rihanna ka dalë nga Barbadosi te dominimi botëror. Tash dua ta ndjek rrugën e njëjtë”.

LB: Dialogu për veriun, rast historik për Kosovën Lindore

Lëvizja për Bashkim vlerësoi të mërkurën se dialogu për veriun është i pashmangshëm, mirëpo, sipas tyre, kjo duhet të shfrytëzohet nga institucionet e vendit, dhe Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në kumtesën për media, Lëvizja për Bashkim thekson se Kosova ndodhet para një ballafaqimi serioz në veriun e saj: faktorët ndërkombëtarë të përfshirë në veri të Kosovës po e përgatitin dialogun Kosovë-Serbi.
“Ky dialog, në qoftë se jo sot, do të mbahet nesër – ai është i pashmangshëm. Kosova nuk duhet të pres që të detyrohet të hyjë në këtë dialog, por duhet të përgatitet seriozisht dhe ta ketë zgjidhjen për këtë çështje. Dialogu për veriun në vetvete nuk është kundër interesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar – por nëse ne e refuzojmë ose hyjmë të papërgatitur në të ai do të paraqes rrezik të madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, thuhet në deklaratën e LB-së.
Sipas tyre, Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ndërsa, shprehen se Mitrovica veriore dhe fshatrat shqiptare në veri të Kosovës nuk mund të jenë pjesë e dialogut, sepse atje është kryer spastrimi etnik dhe se shqiptarët duhet të kthehen në pronat e tyre.
“Institucionet e Kosovës nuk guxojnë ta humbin këtë rast! Kosova ka mundësi që edhe të mos i prishë raportet me ndërkombëtarët, edhe t’i zgjidhë problemet e saj të brendshme, edhe t’u vijë në ndihmë shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Kosova me një zgjidhje të mençur dhe largpamëse do t’ia hapte vetes dyert edhe për integrimet e saj kombëtare, edhe për ato ndërkombëtare. Përndryshe, çdo sjellje e papërgjegjshme, Kosovën do ta sjell në një situatë të vështirë dhe të pa perspektivë”, thuhet në deklaratë.

Dalglish i kënaqur me sezonin

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, është i kënaqur me fitoren 4-1 ndaj Chelseat, që ishte edhe ndeshja e fundit e Redsave para tifozëve të vet në Anfield.
“Ne kemi fituar një trofe pas gjashtë vitesh, jemi rikthyer në Evropë, dhe ishim afër për ta fituar finalen e Kupës FA. Nuk është keq për një sezon të parë”.
“Lojtarët i kuptojnë më mirë se unë (pritjet e klubit) dhe ata mbase janë më të edukuar se shumica e njerëzve që kritikojnë. Mendoj se lojtarët do të jenë të lumtur të përfundojnë me fitore në Anfield. Kjo paraqitje ishte e njëjtë si shumë paraqitje ku ne nuk kemi nxjerrë rezultate. Sonte ne e bëmë këtë”.
“Për ne ishte një mbrëmje e kënaqshme. Shpresojmë se tifozët u larguan të lumtur. Shpresojmë se djelmoshat kanë kthyer një buzëqeshje të paktë në fytyrat e tyre”, ka thënë Dalglish

Mancinit t’i ofrohet kontratë e re?

Manchester City është i gatshëm t’i ofrojë menaxherit Roberto Mancini një kontratë të re të vlefshme plot 22 milionë funte.
Marrëveshja katërvjeçare e Mancinit do ta shndërronte atë në menaxherin më të paguar në vend, së bashku me rivalin e Manchester United, Sir Alex Ferguson.
The Sun shkruan se City planifikon t’ia rritë pagën vjetore Mancinit për dy milionë funte, duke e çuar atë në 5.5 milionë funte në vit – edhe nëse “qytetarët” dështojnë ta fitojnë titullin.
Edhe më shtytëse për t’i ofruar rinovim italianit ka qenë rikthimi i mahnitshëm i Cityt prej tetë pikës disavantazh ndaj United deri në lider të tabelës. Dy klubet aktualisht kanë pikë të barabarta, por City ka diferencë më të mirë të golave

Simone dhe Adelina shumë “të afërt”

Ishte shkruar edhe më herët se Adelina Tahiri, e cila është duke konkurruar në “Dancing with the stars”, kishte filluar një flirt me balerin italian Simone.
Në rrjetet sociale janë publikuar disa foto të saj së bashku me Simonen.
Në këto foto, shihet një afri e madhe mes tyre. Adelina nuk duket të jetë bezdisur aspak, përkundrazi duket se e ka shijuar këtë afrim të Simones.
Megjithatë, asnjëri prej të dyve nuk pranon të thotë diçka më shumë në lidhje me këtë histori, por theksojnë se janë vetëm miq.