Je i lodhur nga situata e sikletshme ku e njeh dikë nga fytyra, por nuk ia kujton dot emrin? Studime të reja nga shkencat psikologjike hedhin dritë mbi këtë fenomen. Shkencëtarët e Universitetit të Indianas në SHBA kanë zbuluar së fundi se tipare të veçanta të fytyrës, më tepër se e tëra, janë çelësa për të rikujtuar emrin e një personi.
Ndërkohë, Howard Scott, autor i librit “Fuqia e Kujtesës” (Memory Power) dhe katër herë kampion kombëtar i kujtesës, shpjegon një teknikë për ta mbajtur mend dhe mos e harruar kurrë një emër të ri.
Mënyra më e mirë për të mbajtur mend emrin e dikujt është lidhja mes emrit dhe një elementi që mbahet mend fare lehtë, thotë Howard Scott. Aliteracioni dhe rima mund të jenë shumë të dobishme, sugjeron ai.
Për shembull, nëse takojmë një Henri të ri, ndërsa njohim dikë tjetër me këtë emër, duhet të përpiqemi të formojmë një lidhje mes tipareve të Henrit të ri dhe atij të vjetrit. Në këtë mënyrë truri nis t’i përdorë këto tipare si pikënisje për të memorizuar emrin e ri.
Ta zëmë, për shembull, se të dy Henrit i kanë flokët të shkurtër. “Duke qenë se stilet e flokëve mund të ndryshojnë shpesh, nuk është ky elementi i duhur për të bërë lidhje”, thotë Scott, duke na shpjeguar një mënyrë më të mirë: “Zgjidh diçka që nuk të pëlqen tek Henri i vjetër. Ndoshta i pari e ka lëkurën të keqe, por i riu mund të ketë një defekt në fytyrë”.
Një mënyrë tjetër për të mos harruar emrin e një personi është edhe shqiptimi me zë të lartë i emrit të tij gjatë bisedës. Kjo mënyrë mund të ndihmojë trurin që të lidhë tingullin e emrit me fytyrën, thotë Howard Scott. Mjafton të mos e teprosh me përsëritjen, pasi në të kundërt lë të kuptohet që bashkëbisedimi është i sforcuar nga ana jote.