E duam UP-në, jo UPDK-në

Aktivistët e Lëvizjes “Studim Kritikë Veprim”, kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

“Universiteti i Prishtinës është kapur nga pushteti. Përmes kontrollit të shtruar nga mekanizmat e vëna si Këshilli Drejtues politik, që zgjedh rektorin politik e i cili shtrinë ndikimin e interesave politike të pushtetit të cilit i takon, UP po mbushet edhe në strukturën e vet akademike me njerëz të pushtetit”, ka thënë aktivisti Qendrim Allaqi.
Sipas tij, agjentët e shërbimeve sekrete po futen si personel akademik në UP.
“Ish agjenti i SHIK-ut dhe aktualisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu-Kamishi po futet si profesor-asistent në Universitet, duke mos e plotësuar asnjë kriter statutor të UP-së, por duke plotësuar kushtin kryesor të mekanizmave që e kontrollojnë UP-në: atë të të qenit njeri i pushtetit.
Alliqi thotë se me Këshillin Drejtues të PDK-së, me rektorin e PDK-së, me profesorë si ministra e deputetë të PDK-së, tash me simbolin qesharak të SHIK-ut të PDK-së - Kamishin - UP është bërë UPDK.
“Rruga që keni zgjedhur për në UPDK është rrugë që kalon mbi Statutin, Ligjin dhe normat shoqërore të Republikës. Prandaj, ne do t’ju ndalojmë me të gjitha format e organizimit studentor. Studentët e UP-së, bashkë me shumë profesorë të vullnetshëm për universitet të mirëfilltë do ta mbrojnë UP-në... Studentët e duan UP-në. Nuk e duan UPDK-në. UPDK është e paligjshme. E vetmja mënyrë për të mbërritur te UPDK është duke shkelur në Statutin e UP-së dhe ligjet e Republikës. Kjo rrugë çon në shkatërrimin e sigurt të shoqërisë sonë. Ne, do ta ndalojmë këtë shkatërrim”.