Të mërkurën vendimi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Dhoma për krime të luftës e Gjykatës së Lartë në Beograd, të mërkurën e shqipton aktgjykimin për të akuzuarit Sreten Popovic dhe Milosh Stojanovic, në procesin e përsëritur për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999.

Zëvendësprokurori për krime të luftës, Dragolub Stankovic, në fillim të muajit prill, në fjalën përfundimtare, tha se për veprën penale, për të cilën akuzohen dy pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, parashihet dënimi prej së paku pesë vite burg dhe se, duke pasur parasysh rrethanat e krimit, është i përjashtuar dënimi më i butë.
Procesi gjyqësor për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, ka filluar në vitin 2006 dhe janë dëgjuar 105 dëshmitarë.
Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë të këshillit të dikurshëm për krime të luftës të Gjyqit të Qarkut në Beograd, sipas së cilës të akuzuarit Popovic dhe Stojanovic ishin liruar nga akuzat dhe ka urdhëruar proces të ri, raportojnë mediat beogradase.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Sreten Popovic i njohur me emrin “Pop”, më 8 korrik të vitit 1999, e ka urdhëruar të akuzuarin e dytë, Milosh Stojanovic, që t’i burgos vëllezërit Bytyçi, pas lirimit nga burgu në Prokuple, ku të tre vëllezërit e kishin vuajtur dënimin për shkak të hyrjes ilegale në Serbi nga Shqipëria.
Siç thuhet në aktakuzë, Stojanovic, sipas urdhrit të Popovicit, vëllezërit Bytyçi i ka dërguar në një qendër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Petrovo Sello, ku i ka mbyllur, ndërsa të nesërmen, më 9 korrik 1999, në orët e vona të mbrëmjes, i ka dorëzuar te pjesëtarët e MUP-it të Serbisë, të cilët i kanë vrarë.
Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, janë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello.
Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova.