Integrimi varet nga ne!

Kosova është e përkushtuar të jetojë në paqe dhe stabilitet duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial ndërmjet veti dhe duke ndihmuar njeri tjetrin në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Kështu ka deklaruar presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e organizuar me rastin e 9 Majit - Ditës së Evropës, ku ishte i pranishëm kryeministri Hashim Thaçi, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, ministra dhe ambasadorë.
“Vlerat dhe sukseset e Bashkimit Evropian me fuqinë transformuese të tyre kanë frymëzuar shumë vende të ndërmarrin reforma në të mirë të qytetarit. Ne, shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kemi mundësinë që me vullnet dhe krenari t’i ndjekim idealet dhe vizionin e Bashkimit Evropian, në rrugën e konsolidimit të brendshëm demokratik, përparimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët drejt Evropës”, tha presidentja.

“E ardhmja demokratike e shtetit tonë ka bazë sistemin e qëndrueshëm juridik që garanton mbrojtjen e qytetarit të bazuar në trashëgiminë Evropiane të ideve politike dhe në praktikat më të mira të vendeve demokratike. Zbatimi i Kushtetutës së bashku me sundimin e rendit dhe ligjit siguron shtetin e së drejtës që mundëson aderimin tonë të sigurt në Bashkimin Evropian”.

“Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është më se e domosdoshme të jetë anëtare e barabartë e të gjitha organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtare duke dhënë kontributin e saj në të gjitha proceset bashkëkohore”.
“Jemi të përkushtuar që të përmbushim të gjitha kriteret dhe obligimet tona në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Qytetarët tanë na kërkojnë, me plotë të drejtë, që me vullnet dhe përkushtim të plotë të vazhdojmë përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe ligjore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, suksesi i integrimit tonë në Bashkimin Evropian varet nga të gjithë ne: institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera presidentja.