Kosova së shpejti do të hapë një konsullatë në Strasburg që zyrtarisht do të merret me punë konsullore në Francë, por misioni i vërtetë i saj do të jetë përgatitja për anëtarësim në Këshillin e Evropës, njofton Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Në tekstin e botuar në uebfaqen e kësaj gazete, thuhet se qëllimi i kësaj ofensive diplomatike të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në këtë këshill deri në fund të vitit 2013.
Pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas FAZ, është duke e nxitur dhe mbështetur Britania e Madhe, e cila prej janarit deri në qershor udhëheqë me këtë këshill, ndërsa pas saj, udhëheqjen e radhës do ta merr Shqipëria.
Ky plan është shfaqur menjëherë pasi u refuzua plani për marrëveshje me UNMIK-un në emër të Kosovës. “Plani i refuzuar ka qenë i pranueshëm për Serbinë, sepse nënshkrimi i marrëveshjeve me UNMIK-un do të thoshte mosnjohja e Kosovës nga Këshilli i Evropës. Por në momentin kur u përzije Rusia, plani u hodh poshtë nga shumica e anëtarëve të këshillit”, shkruan FAZ.
Gazeta e njohur gjermane shkruan se kërkesa e Beogradit drejtuar Rusisë për t’i ndihmuar në bllokimin e Kosovës veç sa e ka përshpejtuar anëtarësimin e këtij shteti të ri evropian në Këshillin e Evropës.
“Ministri britanik për Evropë, David Lidington, në fillim të marrjes së mandatit gjashtëmujor, e kishte mbështetu planin e marrëveshjes me UNMIK-un, mirëpo më pas indirekt kishte paralajmëruar refuzimin e këtij plani dhe mbështetjen e pakursyer për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Dhe derisa Kosova po përgatitet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një zyrtarë i lartë i këtij këshilli, ka deklaruar për FAZ se Rusia ndonjëherë i ndihmon Serbisë më shumë se sa duhet.