Institucionet e Kosovës nuk e kanë ndërmend të hartojnë plan të ri për veriun e vendit. Thirrjet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të ndryshme perëndimore që Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një strategji apo plan konkret për pjesën problematike të vendit, nuk do të përfillen nga qeveritarët e kosovarë.
Ata thonë se nuk e kanë ndërmend që të merren me hartimin e dokumenteve të reja për atë pjesë të vendit, por do ta rishikojnë strategjinë e hartuar së bashku me Zyrën Civile Ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ilmi Zeka, tha për “Zëri” se kjo strategji nuk është hedhur poshtë, ajo do të realizohet vetëm se do të ketë nevojë për rishqyrtime, në mënyrë që të gjenden forma më të pranueshme për të arritur deri tek qytetarët serbë në veri.
Ndërkaq, të hënën përfaqësuesi special i Bashkimin Evropian (BE) në Kosovë, Samuel Zbogar, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përgatisë një agjendë për veriun.
Zhbogar po ashtu ka kujtuar institucionet e Kosovës që BE është duke kërkuar një plan veprimi qysh në tetor të vitit të kaluar, kur është lëshuar Raporti i Progresit, një plan që do të bënte që serbët në atë pjesë të ndihen më mirë dhe të pranojnë realitetin e ri në Kosovë.
Por, i dyti i MPB-së ka thënë se pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve për strategji për veriun, Qeveria e ka agjendën e vet. “Ne kuptojmë dhe respektojmë kërkesat e ndërkombëtarëve, por Qeveria e Kosovës e ka agjendën e saj për veri, dhe ne tani do ta rishikojmë edhe njëherë planin e veprimit, në mënyrë që të gjejmë forma për të arritur me hapa më të shpejtë në veri të vendit”, tha Zeka.
“Në veri ka nevojë dhe duhet të implementohet vetëm pakoja e Ahtisaarit, e cila është e mjaftueshme dhe paraqet kompromis”, tha në anën tjetër edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Në anën tjetër, Samuel Zbogar, përfaqësuesi i BE-së për Kosovë, saktësoi për “Zëri” se me kërkesën e tij nuk ka menduar të bëhet një plan i ri për veriun, apo listë që do të saktësojë gjërat që duhen të ndërmerren, por thjesht ka kërkuar që Qeveria të gjejë një rrugë me të cilën do të arrijë tek qytetarët në veri.
“BE nuk po kërkon një plan të ri dhe as përgatitjen e një liste e cila do t’ i tregojë Kosovës se çfarë të bëjë me veriun, e as nuk po kërkon që t’i imponojnë Qeverisë ndonjë gjë. Ajo që ka për obligim Qeveria dhe autoritetet e saj është që të mendojnë të gjejnë një rrugë e cila do t’i shpie ata deri tek qytetarët në veri”, u shpreh për “Zëri” përfaqësuesi i BE-së, Zhbogar.
Kërkesë të njëjtë me shefin e BE-së kanë edhe përfaqësuesit e ICO-së. “Ashtu siç ka bërë thirrje përfaqësuesi i BE – së, edhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më tepër për t’u angazhuar që të fillojë një dialog me serbët në Kosovë”, tha në anën tjetër Christian Palme, zëdhënës i ICO-së në Kosovë, zyrë kjo që ka marrë pjesë në përpilimin e strategjisë së Kosovës për integrimin e veriut.
Të pyetur se pse strategjia nuk po gjen zbatueshmëri, Palme tha se “ICO ka konstatuar se konsultimi me komunitetin është kyç për projekte të qëndrueshme dhe për krijimin e lidhjeve mes Qeverisë së Kosovës dhe popullatës në veri të Kosovës”.