Zëdhënës i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka thënë se OSBE do të përfshihet edhe në raundit e dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe, që pritet të mbahen më 20 maj në Kosovë.
Gaon ka thënë për radion serbe Kontakt Plus se marrëveshja në bazë të së cilës OSBE ka punuar për zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë dhe ato presidenciale, parashikon që kjo organizatë ta ketë rolin e njëjtë edhe në raunde e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
"Do të punojmë në të njëjtën mënyrë. Do të ketë numër të njëjtë të vendvotimeve dhe qendrave. Në këtë moment duhet të pritet vërtetimi i zgjedhjeve nga Komisioni zgjedhor i Serbisë. Supozoj se atëherë do të paralajmërohet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për president", tha Gaon.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë janë mbajtur në Kosovë më 6 maj, në gjithsej 90 vendvotime.