Qeveria forcon kontrollin e informatave

Qeveria e Kosovës ka vendosur ta forcojë kontrollin e brendshëm të shfrytëzuesve të internetit. Nga e mërkura (sot) asnjë nëpunës qeveritar nuk do të mund të krijojë qasje në internet me llogari elektronike private. Nëse duan të shkëmbejnë ndonjë e-mail apo të shfletojnë ndonjë ueb faqe atyre u duhet të logohen me username/fjalëkalim të domainit shtetëror.

Zyrtarë brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se ky kontroll do të ushtrohet nga Departamenti i e-Qeverisjes dhe Proceseve Administrative me qëllim të aktivizimit të rregullit të autentifikimit të shfrytëzuesit për qasje në internet.
“Aplikimi i këtij sistemi përveçse e ngrit nivelin e sigurisë të sistemit shtetëror të teknologjisë informative, e rrit edhe kontrollin e transfereve të dokumenteve nga institucionet qendrore në adresa private apo edhe në media”, ka thënë një zyrtar i lartë institucional. “Në bazë të këtij sistemi, dihet saktë se kush ku çka ka dërguar”, ka shtuar ky zyrtar, njofton Koha.
Për futjen e kësaj mase sigurie në Qeveri, tashmë janë njoftuar të gjithë punonjësit e ministrive.