Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Thaçi në mesazhin e urimit, shprehu bindjen e plotë që Republika e Kosovës do ta festoj këtë festë në një periudhë të afërt si shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
“Kosova ka filluar ta përmbushë këtë ëndërr shumë shekullore me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Jam i përkushtuar që në emër të Qeverisë që udhëheq dhe në emrin tim të punoj në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të nevojshme që Kosova ta zë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane”, shprehet Thaçi.
Ai më tej, thekson se 9 Maji, Dita e Evropës ka një rëndësi të madhe simbolike për gjithë Evropën, por edhe për vetë Kosovën. Kjo ditë, sipas tij, shënon paqe në Evropë, themelimin e një Unioni supranacional, në shërbim të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të Evropës dhe respektimin e diversitetit, duke e shndërruar atë në vlerë.
“Republika e Kosovës si shteti më i ri në mesin e popujve të Ballkanit po punon në drejtim të krijimit dhe forcimit të vlerave evropiane në këtë rajon. Për Kosovën kjo ditë do të shërbejë si simbolikë shumë domethënëse e zhvillimit të rajonit si tërësi në frymën evropiane, bashkëpunimit reciprok ndër-shtetëror, bazuar në parimet fundamentale të barazisë mes popujve, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, për ecjen drejt një të ardhme prosperuese për të gjithë popujt tanë”, shprehet Thaçi.
Për Thaçin, falë mbështetjes së Bashkimit Evropian Kosova ka tejkaluar me sukses fazën e rindërtimit dhe atë të tranzicionit.
“Tashmë Kosova po hyn në nja fazë të re, në fazën e zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit të institucioneve demokratike. Me përfundimin e Studimit të Fizibilitetit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit këtë vit do të arrijë të kalojë nga shteti potencial në shtet kandidat për integrim në BE. Në këtë moment të rëndësishëm të shënimit të Ditës së Evropës, dëshiroj të falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha partitë politike, shoqërinë civile dhe të gjithë kontribuuesit tjerë në përkrahjen e vazhdueshme për ndërmarrjen e reformave të nevojshme të procesit të integrimit”, shprehet kryeministri, Hashim Thaçi.