Nani: Largohemi me kokën lart

Anësori i Manchester United, Nani, thotë se Portugalia largohet nga Euro 2012 me kokën lart.Portugalia barazoi pa gola në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Spanjës por humbi rastin të shkojë në finale pas gjuajtjes së penaltive.
 
“Ne vërtet dhamë gjithçka që kishim, dhe është vështirë të shkohet në penalti. Ne treguam shumë kualitete. Në fund Spanja thjesht kishte më shumë fat se ne”.
 
“Por njerëzit në Portugali mund të jenë krenar me ekipin. Ne jemi të zhgënjyer pasi merituam të ishim në finale – por mund të shkojmë në shtëpi duke i mbajtur kokat tona lart”, ka thënë Nani. 

Prandelli: Do ta sulmojmë Gjermaninë

Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, thotë se ata do ta sulmojnë Gjermaninë në gjysmëfinalen e sotme të kampionatit evropian.“Kurrë nuk mendoj më shumë se sa ndeshja e radhës. Le të fokusohemi në këtë ndeshje dhe të bëjmë një paraqitje të shkëlqyeshme, pastaj do të shohim nëse finalja është ëndërr, reale ose e merituar”.
 
“Sigurisht se ndeshja mund të përfundojë me çdo rezultat. Ne kemi vetëm një armë dhe kjo është posedimi. Nuk mund të kalojmë në mbrojtje në qasjen tonë, pasi do të ishte e padrejtë dhe madje e papjekur të hedhim poshtë dy vite punë kur është fjala te realizimi”.
 
“Andaj ne do të marrim përsipër disa rreziqe, por gjithmonë do të përpiqemi të luajmë futboll”, ka thënë Prandelli.

Cesc i ngazëllyer me penaltinë vendimtare

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, është i ngazëllyer që ka shënuar penaltinë e fitores për Spanjën në gjysmëfinale të Euro 2012 ndaj Portugalisë.Kjo ishte një përsëritje për Fabregas pasi ai bëri të njëjtën gjë në Euro 2008 kur Spanja eliminoi Italinë dhe thotë se ai e dinte se çfarë e priste.
 
“Kisha intuitën dhe doja penaltinë e pestë. I thash Toni Grande [asistentit spanjoll] se mendoj se mund ta përsëris momentin e madh [nga ndeshja ndaj Italisë]”.
 
“Ata fillimisht më thanë ta gjuaj të dytën, por thash ‘jo, më jepni të pestën’, pasi e kisha këtë parandjenjë”, ka deklaruar Fabregas. 

Silva kërkon pagë më të madhe

Thiago Silva raportohet se ka tronditur Milanin me kërkesat e tij për kontratë të re.
Pasi Milani refuzoi 47 milionë euro nga PSG për shërbimet e tij, Thiago Silva tash kërkon rritje të pagës.
Tuttomercatoweb shkruan se agjenti Paulo Tonietto tashmë ia ka përcjellë Milanit kërkesat e tyre, me mbrojtësin që kërkon që paga e tashme prej 4.5 milionë euro të rritet në 7.5 milionë.
Tonietto e di sa Thiago Silva do të fitonte nëse do të ishte transferuar te PSG dhe është duke kërkuar nga Milani një ofertë të përmirësuar për vazhdimin e kontratës.
Kjo e ka tronditur zëvendëspresidentin e Milanit, Adriano Galliani, i cili vazhdimisht është duke u munduar t’i ulë harxhimet e klubit. Kërkesat e Silvas mund ta bëjnë klubin ta rimendojë ofertën e majme të refuzuar të PSG-së.

AVB: Nuk dua të drejtoj kombëtare

Ish-menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka hedhur poshtë mundësinë e marrjes në drejtim të ndonjë ekipi kombëtar.
34-vjeçari aktualisht është i papunë pasi u shkarkua nga Chelsea në mars, pas një serie të rezultateve të dobëta, por thotë se nuk do të pranonte asnjë ofertë për të drejtuar ndonjë kombëtare, pasi më shumë preferon angazhimin ditor.
“Jam më shumë i joshur nga puna në klub dhe nga seancat ditore stërvitore. Nuk është pjesë e ambicieve të mia të drejtoj ndonjë ekip kombëtar, por kjo mund të ndodhë ndonjë ditë”.
“Me përgatitje dhe me një projekt të qëlluar, diçka e veçantë mund të bëhet. Por për momentin, kjo nuk është pjesë e planeve të mia për të ardhmen”, ka thënë Villas-Boas. 

Atalanta ofertë për Inzaghin

Atalanta ka bërë një ofertë për legjendën e Milanit, Pippo Inzaghi.
Sulmuesi 38-vjeçar ka mbetur pa kontratë që nga fundi i sezonit të kaluar kur kontrata e tij me Milanin përfundoi dhe është duke kërkuar një klub të ri për sezonin e ardhshëm.
Mediat italiane raportojnë se Atalanta ka shfaqur interesim të nënshkruajë me Inzaghin, edhe pse lojtari nuk është duke u ngutur të marrë ndonjë vendim të shpejtë. 

Lille ofertë për Afellayn

Lille është hedhur në kërkim të anësorit të Barcelonës, Ibrahim Afellay.
TV3 bën të ditur se ish-kampioni i Francës e sheh Afellayn si zëvendësim për nënshkrimin e ri të Chelseat, Eden Hazard.
Drejtuesit e Barcës janë të gatshëm ta shesin lojtarin me Lille që dëshiron të ofrojë 7 milionë euro. Holandezi erdhi te Barca 18 muaj më parë për 2.5 milionë euro.

Porto kërkon 45 milionë për Rodriguez

Porto raportohet se e ka rritur çmimin e anësorit James Rodriguez.
O Jogo shkruan se klubi portugez tash dëshiron 45 milionë për të lejuar Rodriguez të largohet nga skuadra.
Manchester United dëshiron të ofrojë deri në 36 milionë euro për kolumbianin, i cili kërkohet edhe nga Liverpooli.

United 22 milionë për Modric

Manchester United ka përgatitur ofertë të re për mesfushorin e Tottenhamit, Luka Modric.
Sportivja kroate Sportske Novosti bën të ditur se United ka dërguar ofertë në vlerën e 22 milionë funteve për Modric këtë verë dhe është i gatshëm t’i ofrojë lojtarit pagë javore gjashtë-shifrore (mbi 100 mijë në javë).
Megjithatë raportohet se Tottenhami nuk dëshiron ta shesë lojtarin, i cili po ashtu ka joshur edhe interesimin e Real Madridit dhe Paris Saint-Germain.

Ndahen Ledri dhe Dafina?

Pas sukseseve të fundit me videoklipin ‘Tonight’, Ledri dhe Dafina kanë vendosur t’i japin fund lidhjes së tyre disa mujore.
Sipas disa burimeve të Info Globit çifti Dafina-Ledri janë ndarë përfundimisht.
“Të mërkurën e kaluar, pas një zënke janë ndarë Ledri dhe Dafina” ka thënë burimi.
Kohë më parë pati një përleshje fizike mes ish-të dashurit të Dafinës, Krenarit dhe Ledrit ku keqas përfundoi ky i fundit.

Rona mysafire në festivalin Suncane Skale 2012

Këngëtarja Rona Nishliu, e cila e përfaqësoi denjësisht shtetin shqiptar në ‘Eurovision Song Contest’, do të jetë mysafire speciale në edicionin e këtij viti të festivalit ‘Suncane Skale’.
Rona do të jetë mysafirja speciale e edicionit të 18-të të këtij festivali. Ajo do të performojë krahas këngëtares serbe Marija Serifovic, e cila është fituese e Eurovizionit të vitit 2007.
Këtë lajm e kanë konfirmuar organizatorët e këtij festivali ekskluzivisht për portalin Telegrafi.
Edicioni i 18-të i festivalit muzikor ‘Suncane Skale’ 2012 mbahet në datat 2 dhe 3 korrik në qytetin Herceg Novi të Malit të Zi.
Këngëtarë të ndryshëm nga shume shtete të Ballkanit dhe më gjerë do të prezantohen në këtë festival. Këngëtarja nga Shqipëria, Enrika Derza, do të paraqitet me këngën e saj ‘Jam e imja’ në kategorinë ‘Kënga më e mirë verorore’.

Rovena Stefa duet me Sala Jasharin

Këngëtarja shqiptare Rovena Stefa, së fundmi ka publikuar albumin e saj ''live'' si dhe videoklipin e këngës ''Djepi'', me anë të të cilit përcolli porosinë për shtimin e lindshmërisë tek populli shqiptar.
Aktualisht, Rovena duket se po punon në realizimin e një dueti shumë të veçantë.
Sipas mediave kosovare, ajo së shpejti do të sjellë një këngë të realizuar në bashkëpunim me adoleshenten Sala Jashari, anëtare e familjes së dëshmorëve Jasharaj, shkruan Indeksonline.
Ditë më parë, këngëtarja Stefa, ishte e pranishme në promovimin e albumit të parë të Salës në Skenderaj. 

Kush është më i fortë, Drake apo Chris Brown?

Dy këngëtarëve, Drake dhe Chris Brown, iu janë ofruar nga një milion dollarë për një përleshje në ring.
Kah mesi i këtij muaji, dy reperët u përfshinë në një rrahje në një klub nate në New York, megjithëse ata mohuan të kenë bërë diçka të tillë.
Sipas Pop Dust, drejtuesi i emisionit televiziv Celebrity Boxing, në të cilin përleshën personalitete e famshme, u ka ofruar nga një milion dollarë që të dalin në ring më 25 gusht.
“Deri më tash kemi pasur 55 përleshje të personaliteteve të njohura, ndërsa ky do të ishte padyshim më interesanti”, ka thënë Damon Feldman. 

Frika nga dështimi të çon drejt e në rrugën e padashur

Të qenurit pesimist në arritjen e suksesit, mendohet të jetë një arsye e fortë që çon drejt dështimit. Një përqindje e konsiderueshme e shumë rasteve rezultojnë të kenë provuar një eksperiencë të tillë.
Bëni një jetë të mirë personale. Mos bashkoni asnjëherë jetën profesionale me atë personale, pasi kjo e fundit nuk duhet ngarkuar në asnjë mënyrë. Në momentin që filloni t’i kombinoni të dyja atëherë do të humbisni interes. Dhe humbja e motivimit është një tjetër arsye e fortë që do të ndikonte negativisht në performancën tuaj të suksesit.
Shprehja “kur vini në punë lërini problemet në shtëpi” është më se e vërtetë. Pavarësisht se çfarë mund të jetë duke ndodhur në jetën tuaj, përpiquni të ruani Interes dhe motivim për punën.
Një tjetër faktor është dhe ambicia dhe për më tepër të treguarit e pasionit në bërjen e gjërave. “Bëj diçka që e dëshiron me gjithë zemër”. Kjo është një nga shprehjet e thëna nëse nuk do donit të dështonit. Përveçse mund të evitoni momentet e një eksperience jo fort të bukur do të mund të realizoni dhe karrierën që keni dashur.
Duke vendosur në një peshore avantazhet dhe disavantazhet e punës suaj, me pak forcë pasioni, duke mënjanuar stresin e përditshëm do t'ia arrini qëllimit tuaj. Jo vetëm kaq, por duke ditur arsyet që ju çojnë drejt dështimit, do filloni të shihni ndryshe. 

Kujdes me shtesat e hekurit

Edhe kur ekzistojnë simptomat e qarta të anemisë, shtesat e hekurit nuk bën të merren pa konsultim me mjekun! Shfrytëzimi i pakontrolluar i këtij minerali mund të shkaktojë helmim.
Qëllimi i shërimit të anemisë është rritja e nivelit të hekurit në organizëm si dhe kontrollimi i faktorëve të cilët e kanë shkaktuar sëmundjen. Në të shumtën e rasteve problemi zgjidhet me përdorimin e shtesave (suplementeve) të hekurit dhe me përdorimin e ushqimit të pasur me këtë element.
Tabletat e hekurit pihen çdo ditë aq sa e përcakton mjeku, ndërsa për t'u përshpejtuar absorbimi i hekurit rekomandohet përdorimi i vitaminës C, qoftë në formë të shtesave ose të lëngut të portokallit, boronicës së kuqe ose të dredhëzës.
Edhe pse shumica e të sëmurëve ndihen më mirë pas disa ditësh nga fillimi i terapisë, shtesat duhet të konsumohen gjashtë muaj deri në një vit, sepse organizmit i duhet kaq kohë që përsëri të plotësojë sasinë e mjaftueshme të hekurit. 

Spotify me aplikacione për artistët!

Sot, Spotify ka lansuar aplikacionet e saj të para mobile për artistët e muzikës, më saktësisht serinë e aplikacioneve për Quincy Jones, Tiësto, Rancid dhe Disturbed.
Me këto aplikacione, Spotify shpreson që do t’i lidh edhe më shumë fansat e ndryshëm të muzikës me artistët e tyre të preferuar.
Spotify Artisit Apps mund të instalohet në formë të njëjtë sikurse aplikacionet tjera të Spotify, mirëpo kjo mund të bëhet edhe direkt nga softueri i klientëve nga kompjuteri juaj desktop.
Këto aplikacione janë krijuar që tu mundësojnë artistëve të kategorizojnë dhe kurojnë këngët e caktuara nga libraria masive e Spotify, përmes shtesave si fotografitë, veprat e artit, intervistat dhe prapaskenat e performancave të artistëve.

“Po e lëshove, të vrava”

Një pensionist amerikan është arrestuar pasi e ka kërcënuar me vrasje një fqinj, i cili ka lëshuar ‘gazra’ pranë derës së banesës së tij.
72-vjeçari Daniel Collins nga Teaneck, New Jersey, është akuzuar për drejtim të revolverit ndaj fqinjit të tij 47-vjeçar.
Polica ka thënë se konfrontimi ka ndodhur në korridorin e ndërtesës ku ata banonin, pasi fqinji kishte “lëshuar gazra” teksa kalonte pranë derës së 72-vjeçarit.
“Do ta bëj një vrimë në kokë”, i ka thënë Collins atij.
Zyrtarët policorë janë thirrur nga fqinji dhe gjatë bastisjes e kanë gjetur armën në veturën e ‘agresorit’.
Collins është akuzuar për kërcënim të acaruar, armëmbajtje pa leje, armëmbajtje për qëllime të paligjshme dhe kërcënim terrorist.

Lexo libër – shkurto burgun!

Burgjet në Brazili u kanë bërë një ofertë të jashtëzakonshme të burgosurve për të shkurtuar dënimin e tyre. Nëse ata lexojnë libra, atëherë do ta shkurtojnë vuajtjen e dënimit.
Katër burgje federale në vendin latino-amerikan, ku po vuajnë dënimet disa nga kriminelët më të rrezikshëm, ua kanë dhënë mundësinë të burgosurve që ta shkurtojnë dënimin e tyre për 48 ditë në vit nëse vendosin që të lexojnë libra.
Pas leximit të librit, të burgosurit duhet ta dëshmojnë këtë duke shkruar ese në mënyrë të duhur, ndërsa në program përfshihen të burgosurit e zgjedhur.
“Me ndihmën e këtij programi, i burgosuri mund të largohet nga burgu me njohuri më të mëdha dhe me një kuptim tjetër ndaj botës. Padyshim se do të jetë person më i mirë se më parë”, ka thënë avokati që udhëheq programin për dhurimin e librave, Andre Kehdi. 

SHBA, falimenton qyteti me 300 mijë banorë

Qyteti kalifornian i Stocktonit pritet të shndërrohet në qytetin më të madh amerikan në histori që do të shpallë falimentimin në orët e ardhshme
Kryebashkiakja Ann Johnston deklaroi përpara këshillit bashkiak se nuk mund të bëhet më asgjë për të shpëtuar financat e qytetit dhe se ajo ka marrë “vendimin më të vështirë dhe zemërthyes” të jetës së saj.
Si rrjedhojë, shpallja e falimentimit në bazë të ligjit amerikan është bërë e pashmangshme.
Shtëpi e 290 mijë banorëve, 140 kilometra nga San Francisko, Stockton u godit rëndë nga kriza e tregut të pasurive të paluajtshme në SHBA në vitet 2008-09.
Shpallja e falimentimit do të lejojë qytetin të paguajë disa prej kreditorëve të tij, së bashku me disa prej shërbimeve të domosdoshme, si policia dhe departamenti i zjarrfikëseve.
Përpara hedhjes së këtij hapi nga administrate lokale, u vendos një rritje drastike taksash për banorët, shkurtimi i çerekut të punonjësve të policisë, i pagave për mjekët dhe u largua nga puna një e treta e personelit zjarrfikës.
Aktualisht, Stockton qëndron midis qyteteve me kriminalitetin më të lartë në SHBA, ndërsa papunësia prej 15 për qind është dy herë më e lartë se mesatarja kombëtare.
I zgjedhur si qyteti më i mjerueshëm amerikan në vitin 2010, Stockton është një prej qyteteve të mesme në gjendje të vështirë financiare. Shtëpi e 70 mijë banorëve, gjatë javës u lajmërua se edhe Camden në New Jersy po shkon drejt falimentimit. 

Kosova dhe Lihtenshtajni për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Republika e Kosovës dhe Principata e Lihtenshtajnit janë pajtuar që të vendosin marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Pas kërkesës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, Ambasada e Lihtenshtajnit në Bernë ka konfirmuar pajtueshmërinë e kësaj Principate për të vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta diplomatike me Republikën e Kosovës, duke u bazuar në Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.
Pas këtij pajtimi të ndërsjellë, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, përmes akreditimit të ambasadorëve, do të vendosen në të ardhmen e afërt.
Principata e Lihtenshtajnit e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, më 25 mars 2008, duke qenë një ndër shtet e para që e ka marrë një vendim të tillë.
Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka intensifikuar përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve dhe raporteve konkrete, me të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Për realizimin e këtij objektivi, MPJ ka iniciuar procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, qoftë përmes hapjes së misioneve të reja, por edhe përmes akreditimit në këto shtete, të ambasadorëve jorezidentë.

Mediat serbe: Plagosen 13 serbë në Merdare

Mediat serbe njoftojnë se është sulmuar një grup i serbëve që me autobus ishin nisur për në Gazimestan, për të shënuar festën e Vidovdanit.
Sipas njoftimeve, në shtëpinë e shëndetit në Kurshumli janë dërguar 13 të lënduar.
Raportohet se grupin e serbëve e ka ndaluar Policia e Kosovës në vendkalimin kufitar në Merdare dhe është përpjekur që t’i kthejë prapa.
Pas kësaj, ka pasuar përleshja, ku thuhet se janë përdorur edhe armë. Thuhet se nga 13 të lënduarit, 10 janë dërguar në spitalin kirurgjik në Prokuple.
Mediat serbe, citojnë mjekun, Zoran Vuçkovic të ketë thënë se dhjetë serbët kanë plagë nga armët e zjarrit, por nuk dihet nëse janë shkaktuar nga plumbat e gomës apo plumba të vërtetë, transmeton Evropa e Lirë.
“Në përgjithësi janë plagë të rënda, andaj janë dërguar në Kirurgjinë ne Prokuple”, ka thënë Vuckovic.
Më herët, Policia e Kosovës, ka kthyer nga Mitrovica një grup serbësh në Merdare, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë.
Personat ishin pjesë e grupit marshues të Vidovdanit.
Ndryshe, sot në Kosovë serbët shënojnë kremten e ashtuquajtur të Vidovdanit, që shënohet çdo vit më 28 qershor në Gazimestan

HRW: Ligji i ri rrezikon lirinë e mediave

Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të adresuar kërcënimin që nenet po ia bëjnë lirisë së mediave, që pavarësisht kundërshtimit në masë të gjerë, mbijetuan në Kodin e ri Penal, kanë vlerësuar zyrtarë të Human Rights Watch.
Më 22 qershor, për here të dytë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të heqë nga Kodi i ri Penal, nenet që kriminalizojnë shpifjen dhe i detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre, pavarësisht thirrjeve nga vetë qeveria, presidenca dhe gazetarët që ato të hiqen. Kodi aktual Penal përmban nene të njëjta.
“Dështimi i Kuvendit për të adresuar nenet problematike nënkupton se gazetarët që raportojnë mbi figurat publike ose korrupsionin rrezikojnë të trajtohen si kriminelë. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për të mbrojtur lirinë e mediave dhe gazetarinë e pavarur në Kosovë”, ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore e Human Rights Watch, njoftojnë mediat.
Gall më tej thotë se varet nga Qeveria nëse e shfaqë përkushtimin e saj të sinqertë për të garantuar lirinë e medieve duke shfrytëzuar procedurat e Gjykatës Kushtetuese për t’iu adresuar neneve 37 dhe 38.
“Derisa kjo të mos ndodhë, masat restriktive do të vazhdojnë të kenë efekt në gazetarinë në Kosovë”, u shpreh Gall.

S’ka zgjidhje ushtarake për veriun, vetëm politike

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zotohet se NATO-ja do të vazhdojë të mbajë numrin e tashëm të ushtarëve në Kosovë dhe se asnjë vendim për zvogëlime të mëtejme nuk do të merret në dëm të situatës së sigurisë.
Duke pranuar se në shtyrjen e vendimeve për të reduktuar trupat edhe më shumë kanë ndikuar incidentet në veri, Anders Fogh Rasmussen ka paralajmëruar se NATO-ja do të jetë e vendosur duke u përgjigjur ndaj atyre që pengojnë lirinë e lëvizjes.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, numri një i NATO-s flet edhe për raportet me Bashkimin Evropian, përsërit mendimin se EULEX-i nuk ka resurse të mjaftueshme për të kryer punën e vet në Kosovë. Por thotë se për një zgjidhje afatgjatë të situatës në veri të Kosovës do të duhet tash një angazhim në nivelin më të lartë politik.
“Para së gjithash, unë e vlerësoj lart atë që ka bërë NATO-ja dhe partnerët e saj në Kosovë dhe kontributin e tyre në përgjithësi për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Gjatë këtyre 13 vjetëve, KFOR-i ka vepruar si garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Ne në fakt kishim planifikuar që gradualisht ta zvogëlonim numrin e trupave ndërkombëtare në Kosovë, por për shkak të incidenteve të sigurisë që pamë në veri të Kosovës gjatë vitit të shkuar ne i shtymë vendimet për shkurtime të tjera të numrit të trupave të KFOR-it. Tash kemi mes 5000 dhe 6000 dhe mendoj se do ta mbajmë këtë nivel për një kohë, në mënyrë që të sigurojmë se mund të vazhdojmë të implementojmë mandatin e OKB-së për të siguruar një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes”, ka thënë Rasmussen.
Në këtë intervistë, Rasmussen flet edhe për të ardhmen e FSK-së. 

Lamtumirë, Pako!

Kryetari i Komisionit për amendamentin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, ka bërë me dije se pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, në Kosovë nuk do të ketë as prani civile ndërkombëtare e as pako të Ahtisaarit.
Bajrami në një intervistë për “Epokën e Re”, ka vlerësuar se procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës është një storie e suksesshme e bashkësisë ndërkombëtare.
“Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë nuk do të ketë më prani civile ndërkombëtare dhe nuk do të ketë pako të Ahtisaarit. Pakoja e Ahtisaarit është shpenzuar dhe se Kushtetuta e Kosovës do të jetë akti më i lartë juridik dhe politik i vendit”, është shprehur Bajrami.
Sipas tij, moszgjidhja e problemit të veriut nuk do të ketë ndikim në përmbylljen e pavarësisë.

Rexhepi konfirmon: Disa policë të lënduar në Merdare

E plotësuar- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka konfirmuar se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar përderisa po pengonin kalimin në Kosovë të një grupi serbësh nga Serbia përmes pikës kufitare në Merdare.
Ministri Rexhepi ka njoftuar për radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për lëndime të shkaktuara me gurë, që ky grup serbësh kishte hedhur në drejtim të policisë së Kosovës.
Ai tha se kishte edhe të shtëna armësh, por nuk janë shënuar plagosje të pjesëtarëve të policisë nga këto të shtëna.
“E kemi kthyer një grup të njohur si Delije (simpatizantë futbolli të Cërvena Zvezdës), që njihen si nacionaliste dhe me atë rast janë lënduar disa policë, kryesisht bëhet fjalë për lëndime me gurë”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, ministri Rexhepi.
“Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ato kanë qenë në anën e Serbisë", theksoi ai.
Ky grup i pjesëtarëve serb që tentuan të futen në Kosovë besohet se kishte për qëllim pjesëmarrjen në festën serbe të Vidovdanit.
Këtë vit, komuniteti serb shënon 623 vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës, e cila ndryshe njihet në radhët e këtij komuniteti si “Vidovdan”.
Ndryshe, manifestimet qendrore për këtë ditë mbahen në Graçanicë dhe Gazimestan. Autoritetet e rendit kanë shtuar praninë në rrugët që çojnë drejt këtyre lokacioneve.
E plotësuar: Burime të Kosovapress-it brenda Policisë së Kosovës, kanë njoftuar se turma ekstremiste të serbëve ka plagosur 24 policë të Republikës së Kosovës, deri sa kanë tentuar që në mënyrë të dhunshme të hynë në territorin e Republikës së Kosovës. Këto burime bëjnë të ditur se të plagosurit janë nga armë zjarri dhe mjete të forta.
Kosovapress ka tentuar që të kontaktojë zyrtarët e Policisë së Kosovës, por ka qenë e pamundur të merret një informacion zyrtar.
Ndryshe, serbët ekstremist kanë tentuar që në mënyrë të dhunshme ta kalojnë kufirin e Kosovës, për të shënuar festën e tyre fetare – Vidovdan, por policia nuk ka lejuar hyrjen, ndërsa situata vazhdon të jetë ende e tensionuar në këtë pikë kufitare.
E plotësuar: Rreth orës 05:00 një grup prej afër 70 vetash, i paparalajmëruar i qytetarëve të nacionalitetit serb , pjesëmarrës të marshit të Vidovdanit janë mbledhur në afërsi të urës kryesore. Tre prej tyre kane kaluar pengesat me gurë në urën kryesore dhe kanë filluar të ofendojnë policët në detyrë.
Ndryshe, Policia përmes një kumtese ka njoftuar se me qëllim të qetësimit të situatës ka përdorur sprejin dhe ka larguar këta qytetarë në pjesën veriore të urës dhe nën përcjellje të policisë me dy autobusë të njëjtit janë përcjellë në pikën kufitare në Merdare , përmes të cilës pikë janë larguar nga territori i Kosovës.
Me urdhër të prokurorit është hapur rasti “ Prishje e rendit dhe qetësisë publike”. 

Duhen arrestime

Fundi i vitit 2013 është afati më i shkurtër për liberalizimin e vizave. Në rastin më të keq, procesi mund të zgjasë pa kufi. Por, për të përmbushur kushtet e Udhërrëfyesit, duhet të ketë edhe arrestime masive të kriminelëve dhe të korruptuarve, si në rastin e Shqipërisë.
Kështu ka deklaruar për “Express”, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri.
Haziri ka thënë se me marrjen e Udhërrëfyesit, procesi i liberalizimit të vizave ka marrë drejtim drejt përmbushjes së detyrave teknike nga ana e Kosovës.
“Tash, Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë sektorë të veçantë ndërministrorë, të cilët do të duhej të merreshin me implementimin në baza ditore të detyrave. Ky ekip pritet të formatizohet këto ditë nën udhëheqjen e Ministres Çitaku. Ndërsa roli i Parlamentit në këtë proces do të jetë monitorues dhe mbikëqyrës, i cili mbi baza të rregullta do të bëjë mbikëqyrjen e të gjitha detyrave, e në veçanti riatdhesimin dhe me detyra të tjera, sipas kërkesave, siç është rendi publik dhe menaxhimi i kufijve”, tha kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Por, a është e aftë kjo Qeveri ta çojë përpara procesin e liberalizimit, Haziri ka thënë se problemi i parë dhe kryesor në raport me Brukselin ka qenë mosnjohja e pesë vendeve anëtare të BE-së.
“Si problem i brendshëm, ka qenë përdorimi i procesit të liberalizimit të vizave si slogan zgjedhor që ka bërë që të këtë ngecje në këtë proces. Por, përfundimisht nga dhjetori i vitit të kaluar, që i bie qe shtatë muaj, është i qartësuar dhe tash procesi varet se sa Kosova i plotëson kriteret për të arritur të përfshihet në listën e bardhë të Schengenit. Problem serioz është që qytetarëve duhet t`iu sqarohet se liberalizmi i vizave dhe marrja e Udhërrëfyesit është fillimi i fundit i proceseve që nuk nënkupton të drejtën e lëvizjes, sepse perceptimi në publik është i tillë. Dhe, nën dy, duhet një koordinim ndërinstitucional shumë i madh, në mënyrë që konsensusi politik të ruhet dhe që rruga të shkurtohet. Brukseli është përshkrues i detyrave dhe në të njëjtën kohë është monitorues i procesit dhe në fund vlerësues i të arriturave. Të tri shkallët BE-ja i ka në dorë. Roli i Kosovës është për t`i kryer detyrat dhe për t’i përmbushur të gjitha obligimet”, tha ai.
Haziri po ashtu ka thënë se Qeveria, e vetme, nuk mundet assesi dhe në asnjë formë ta realizojë këtë rrugë.
“Më së shumti këtij procesi i ka ndihmuar konsensusi politik. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha partitë politikë, grupet etnike dhe komunat, pa dallim. Zgjedhja e Ministres Çitaku në këtë resor dhe ndryshimi i qasjes ndaj procesit dhe rritja e rolit të Parlamentit i ka dhënë dimension krejt tjetër këtij procesi. Fundja, njëra prej vlerësimeve që Komisarja Malmstrom dhe Komisari Fule e kanë bërë në raport me Kosovën, është që konsensusi politik është arritur pa ndërmjetësim ndërkombëtar, pa presion dhe pa dialog të vështirë në mes të pozitës dhe opozitës”, tha ai.
Haziri ka njoftuar se kategori e veçantë në Udhërrëfyes është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që përfshin të gjitha llojet e krimeve, e edhe ato të luftës.
Ai tha se në Kosovës nuk ka rezultate dhe plane, më së paku rezultate sa i përket luftës kundër korrupsionit.
“Duhet të merret shembulli i Shqipërisë. Edhe në Kosovë duhet të ketë një arrestim masiv të njerëzve që janë të dënuar, të njerëzve që janë të kërkuar dhe të njerëzve që kanë probleme me ligjin...”, ka thënë Haziri.