Australi, bregu i mbushur me një shkumë të pazakontë (VIDEO)

Fenomen natyror në Point Lorne, në Australi. Kilometra të tërë bregu janë mbushur nga një shkumë natyrale shkaktuar nga moti i keq i tejzgjatur dhe nga erërat jug-lindore që sjellin drejt bregut këto materiale organike. Fenomeni verifikohet cdo dy-tre vjet dhe tërheq cdo herë persona që duan të bëjnë foto dhe të shijojnë malin e madh të shkumës.

Zola: Italia, delja e zezë e Euro 2012

Legjenda e futbollit italian, Gianfranco Zola, beson se Italia duhet të merret më seriozisht nga të gjithë, pasi ai pret që kombëtarja Azzure të jetë ‘delja e zezë’ e evropianit.“Nëse Italia luan sikurse në tri ndeshjet hapëse, Anglia ose Franca nuk do të jenë problem, por ata do të kenë probleme”.
 
“Italia ka ditur të mbajë topin mirë dhe përpos një lodhje në ndeshjen e dytë, gjithçka ishte mirë në ndeshjen e tretë. Italia për mua është ‘delja e zezë’ e këtij evropiani”, ka thënë Zola.
 
Italia përballet me Anglinë në çerekfinale. 

Maradona: Futeni në kafaz Ronaldon

Legjenda argjentinase, Diego Maradona beson se Çekia duhet që ta neutralizojë Cristiano Ronaldon nëse dëshiron të ketë sukses në sfidën çerekfinale që zhvillohet sonte mbrëma.“Nuk ka dyshime se Portugalia është favorite për ndeshjen. Mbrojtja e fortë portugeze do të ketë punë me mesfushën e fortë çeke. Por, në sulm Portugalia ka avantazhin dhe ai është Cristiano Ronaldo”. 
 
“Ata e kanë atë dhe Çekia nuk e ka. Bilek e di se duhet të gjejë një zgjidhje për të futur në kafaz Ronaldon fantastik”, tha Maradona.

Rooney: Do t’ia tregojmë vendin Italisë

Sulmuesi i Anglisë, Wayne Rooney, është optimist për sfidën çerekfinale ndaj Italisë të dielën, duke pohuar se ekipi është mjaft i mirë për të mposhtur ekipin e Cesare Prandellit.“Ne jemi më të organizuar se kurrë. Djemt kanë luftuar shumë për njëri-tjetrin. Ne duam ta bëjmë këtë së bashku, kështu që mendoj se ne kemi një shans të mrekullueshëm. Ne ndihemi mirë, ne jemi përgatitur mirë dhe mezi presim sfidën”.
 
“Është me rëndësi që të besojmë në vetvete. Ne kemi një grup të madh të lojtarëve dhe kemi shumë besim. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por ma merr mendja se do t’ia tregojmë vendin Italisë”, ka thënë Rooney. 

Walcott: Mund ta mposhtim këdo

Theo Walcott ka deklaruar se Anglia mund ta mposhtë cilido rival të mbetur në Euro 2012.Mesfushori i Arsenalit është i bindur se Tre Luanët kanë shans të shkëlqyeshëm ta fitojnë trofeun e parë të madh pas 46 vitesh.
 
“Nuk është me rëndësi kundër kujt luani në këtë garë, të gjithë janë të vështirë”.
 
“Të luash kundër kampionëve të botës dhe Evropës do të jetë vështirë, por ne do ta pranonim këdo në këtë moment pasi ne besojmë se mund ta mposhtim këdo”, ka thënë Walcott.

Neuer: Gjermania nuk do të përfundojë e dyta

Manuel Neuer është i vendosur ta fitojë titullin e kampionit të Evropës, për t’i dhënë fund sezonit zhgënjyes me Bayern Munichun.Portieri u desh të kënaqej me vendin e dytë në Bundeliga me Bayernin, ndërsa përfundoi i dyti edhe në Ligën e Kampionëve, ku në finale u mposht nga Chelsea, dhe në Kupën e Gjermanisë, ku u mposht nga Borussia Dortmundi.
 
“Nuk kam nevojë të frikohem se do të përfundoj i dyti edhe një herë. Kjo thjesht nuk do të ndodhë”.
 
“Është shumë e qartë. E gjithë skuadra dëshiron të qëndrojë në turne deri në finale, dhe pastaj ta fitojë titullin evropian”, ka thënë Neuer për Bild.
 
Gjermania nesër përballet me Greqinë në çerekfinale të Euro 2012. 

De Rossi: Gerrard, heroi im

Njëshi i Romës, Daniele de Rossi, ka zbuluar se ai është admirues i Steven Gerrard, në prag të ndeshjes së të dielës kur Italia përballet me Anglinë në çerekfinale të Euro 2012.“Gerrard gjithmonë ka qenë idhulli im dhe ka luajtur në nivel të lartë për shumë vite”.
 
“Anglia është shumë e fuqishme dhe luan në stilin italian, duke qenë e fuqishme në mbrojtje. Mbase ne do të kishim preferuar të përballemi me Ukrainën, por edhe kjo është në rregull”, ka thënë De Rossi.

Low: Spanja është favorite

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, mendon se Spanja është një skuadër e “klasit botëror” dhe se mbetet favorite për ta fituar Euro 2012.“Ata kanë lojtarë fantastik, [Andres] Iniesta, për shembull, është një produkt i një kulture të shkëlqyeshme futbolli. Spanja gjithmonë ka qenë, dhe mbetet, favorit për ta fituar garën”.
 
“E kam parë Spanjën dy herë dhe ata janë absolutisht të klasit botëror me kombinimet që kanë”.
 
“Ata kanë pasur të njëjtin fat si shumë skuadra tjera këtu, kundërshtarë që qëndrojnë thellë në mbrojtje dhe përpiqen ta prishin ritmin tuaj. Megjithatë, ju sërish pritni Spanja të bëjë lëvizje për të shënuar gola”, ka thënë Low. 

Zidane paralajmëron: Kujdes nga Iniesta

Ish-ylli i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka paralajmëruar ekipin e Francës ta ndalojë mesfushorin e Spanjës, Andres Iniesta, nëse dëshiron të arrijë në gjysmëfinale të Euro 2012.“Iniesta vërtet po më impresionon. Ai ka shumë ndikim në lojën e Spanjës. Ai më kujton veten time, por ai është më i mbyllur se unë”.
 
“Mendoj se shtypi është shumë i ashpër me Spanjën. Për mua, skuadra luan mirë, por nuk është lehtë kur rivalët e tyre janë të ngjeshur në mbrojtje”, ka thënë 39-vjeçari.
 
“Edhe Spanja edhe Franca do të kenë nevojë për një ndeshje të mirë për të arritur në gjysmëfinale. Parashikimi im është Spanja, ata janë favoritë”, ka shtuar më tej francezi.

Mancini: Capello ka merita për suksesin e Anglisë

Fabio Capello meriton lëvdata për suksesin e Anglisë në Euro 2012, thotë menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini.“Anglia duhet ta falënderojë Capellon. Unë i kam parë ata duke luajtur dhe e njoh organizimin e tij”.
 
“E kuptoj se Anglia luan në një mënyrë që mund të duket e mërzitshme, por në këtë moment të sezonit, të gjithë lojtarët janë të lodhur dhe nga ky aspekt ekipi që shënon i pari ka gjasa më të mëdha të fitojë”.
 
“Andaj Hodgson duhet të punojë në mbrojtje dhe të përmirësojë pjesën e tij të lojës. Ai është i mençur pasi, për një periudhë të shkurtër, revolucioni nuk funksionon. Ai ndjek punën e Capellos dhe, në fund të ditës, ai është një trajner anglo-italian”, ka thënë Mancini. 

Van Persie në bisedime me Cityn?

Asi i Arsenalit, Robin Van Persie, është parë në Mançester, duke ngritur spekulime se ai mund të jetë në bisedime me Manchester Cityn ose Manchester Unitedin.
Sulmuesi holandez është parë duke drekuar në Mançester, me ç’rast të gjitha mediat në ishull kanë filluar të flasin për një kalim të tij në këtë qytet.
Sidoqoftë, dilema mbetet në atë se me kë është duke biseduar Van Persie, pasi përpos interesimit të konfirmuar të Manchester Cityt, nuk duhet të befasohemi nga ndonjë atak i skocezit Sir Alex Ferguson, i cili në çdo moment është i gatshëm t’i bëjë bajat Cityt. 

“Ronaldo nën presion nga penaltitë”

Ikona e futbollit çek, Antonin Panenka, mendon se Cristiano Ronado do të jetë nën presion të madh psikologjik në penaltitë e radhës që do t’i godasë, ndërsa parasheh një fitore të Çekisë sonte mbrëma.
“Ndeshja do të mbarojë me rezultat 1-1 dhe Çekia do të fitojë pas penaltive. Ne Jemi më të ftohtë se portugezët. Ata janë shumë emocionalë dhe impulsivë. Në një skenar të tillë, në penalti fiton ekipi më i qetë. Kjo do të jetë përparësi për ne”.
“Unë dua të them se Ronaldo është më i mirë në gjuajtjet e lira se në penalti. Ai dridhet aq shumë gjatë penaltive, presioni ndaj tij ështës humë i madh. Për të mbarimi i një takimi pa shënuar është sikurse ndeshje e humbur. Dhe nëse duhet ta marrë një penalti, ai sigurisht se e dështon”, ka potencuar Panenka. 

Mancini: Balotelli, futbollisti më i talentuar

Teksa Mario Balotelli po vazhdon t’ia garantojë vetes kryetitujt e gazetave me batutat në stërvitje, është menaxheri i tij, Roberto Mancini, ai që ka lëvduar SuperMarion, duke thënë se ai është talenti më i madh në kombëtaren italiane.
“Mario gjithmonë duhe të startojë për Italinë, ai është lojtari më i talentuar dhe me të, kombëtarja është më e fortë”.
“Anglia është ekip i organizuar dhe është vështirë t’i mposhtësh, prandaj duhet të luani me teknikë, shpejtësi dhe pasime të shkurtra, një lojë që i përshtatet Balotellit”, ka theksuar Mancini. 

De Rossi: Kam oferta nga Anglia

Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, ka zbuluar se ka oferta nga klube angleze dhe në të njëjtën kohë ka potencuar se ai ndjen simpati për futbollin anglez.
“Unë kam marrë shumë oferta nga Anglia. Dhe më duhet të them se më pëlqen futbolli anglez”.
“Më pëlqen shumë futbolli anglez. Mendoj se është shumë futboll më atraktiv se sa ai italian. Ka shumë lojtarë të talentuar dhe kjo vlen edhe për Spanjën, ku luajnë futbollistët më të mirë në botë”, ka deklaruar De Rossi.

Liverpooli pas Fabio Borinit

Liverpooli është i gatshëm të nënshkruajë me ish-sulmuesin e Chelseat, Fabio Borini.
Gazzetta dello Sport shkruan se Redsat do ta sigurojnë Borinin për rreth 10 milionë euro sapo të zgjidhet çështja e pronësisë së tij.
Roma dhe Parma kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për shumën rreth sulmuesit dhe pritet ta zgjidhin çështjen nesër përmes një ankandi të fshehtë. 

Mourinho: Kush është Zeman?

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk është tifoz i trajnerit të ri të Romës, Zdenek Zeman.
Zeman ka qenë kritik ndaj ish-trajnerit të Interit, i cili fitoi tre tituj në një sezon me Nerazzurrët në të kaluarën, dhe tash Mourinho ia ka rikthyer me tallje trajnerit çek.
“A jam unë i paditur? Më falni, por Zeman, kush është ky? Ku ka luajtur ai?”, ka tallur Mourinho pasi ka dëgjuar rikthimin e Zeman në Serie A. 

Messi: KURRË nuk do të luajë për Realin

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka rikonfirmuar se ai kurrë nuk do ta veshë fanellën e Real Madridit.
Messi i ka siguruar tifozët e Barcës se ai kurrë nuk do të lejojë përsëritjen e kundërthënieve pas transferimit të Luis Figos te Madridi.
“Kurrë nuk kam menduar për Real Madridin. Barcelona është shtëpia ime dhe do të doja ta kaloj të gjithë karrierën time të futboll atje, ndoshta mund të qëndroj derisa të pensionohem, shpresoj”, ka thënë Messi.

Nëna e Kim gisht në porno videon me Ray J?

Kris Humphries ka nxehur edhe më shumë atmosferën pas divorcit të tij nga Kim Kardashian, duke pohuar se ishte nëna Kris Jenner ajo që urdhëroi regjistrimin e porno videos së famshme vetëm e vetëm që ta bënte vajzën e saj të famshme.
Humphries thotë se Jenner jo vetëm se ishte regjisore e video xhirimit të famshëm, por madje edhe urdhëroi ri-regjistrimin e videos, pasi video e parë nuk ishte mjaft e mirë.
Këto pohime sensacionale të Humphries janë bërë gjatë një bisede të tij me ish të dashurën, shqiptaren Fatmire Sinanaj, raporton TMZ.
Burimet nga ana tjetër bëjnë të ditur se Fatmire Sinanaj ka numër të konsiderueshëm të mesazheve në të cilat Kris Humphries i thotë se ajo është dashuria e jetës së saj dhe ku thotë se mezi pret kompletimin e divorcit nga Kim.
Tashmë ky konflikt sipas mediave amerikane pritet të zhvendoset në gjykata, sepse këto mesazhe të shqiptares e dëmtojnë rëndë imazhin e Kris Jenner dhe të Kim Kardashian. Këto të fundit i kanë mohuar plotësisht pohimet e basketbollistit Humphries.
Kim Kardashian momentalisht është në lidhje me superyllin Kanye West.

Stresi publikon dissin për Noizyn

Edhe pse ishte arrestuar, kjo nuk e ka shqetësuar aq shumë reperin e Babastars, Stresi, i cili ka publikuar dissin e paralajmëruar kundër Noizyt.
Ishte fillimisht lideri i OTR ai që lansoi dy diss këngë ndaj Babastars, duke e shpjerë konfliktin në një dimension tjetër, të cilit tashmë i ka dhënë formë Stresi.
Stresi, i cili njihet për konfliktin me Noizyn, ka përdorur vargje të rënda dhe të dhunshme kundër rivalit të tij, por nuk ka prekur në familje, me ç’rast ka respektuar dhe paktin e tyre në polici të arritur dy vite më parë. 

Rita Ora demanton lidhjen me Chris Brown

Pasi Rita Ora dhe Chris Brown ishin fotografuar së bashku derisa kishin dalë nga një klub nate në Londër, ishte shkruar për një lidhje të mundshme dashurie mes tyre.
Mirëpo, Rita ka reaguar shpejt duke deklaruar se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se ajo me Chrisin janë vetëm shokë dhe asgjë më shumë.
“Ka filluar të flitet se unë dhe Chris jemi në lidhje, por kjo nuk ka të bëjë me realitetin. Unë dhe Chris jemi miq të mirë dhe e respektojmë njëri-tjetrin. Pra mes nesh ka vetëm miqësi dhe asgjë më shumë”, është shprehur Rita

Të lahesh pa përdorur ujë

Duke marrë shkas nga një shok që s’kishte fort qejf të lahej dhe me disa muaj kërkime në internet, studenti afrikano-jugor Ludwick Marishane shpiku një mënyrë për t’u larë pa përdorur ujë.
22-vjeçari, student në Universitetin e Cape Town, ka shpikur një produkt të quajtur “Dry Bath” (Banjë e thatë), një xhel që përdoret në lëkurë dhe bën punën e ujit dhe sapunit.
Shpikja, që e shpërbleu Marishane me çmimin e studentit më të mirë sipërmarrës global, ka përdorim të gjerë në Afrikë dhe në vende të tjera në zhvillim, ku higjiena bazike është në nivele të ulëta dhe miliona njerëz vuajnë mungesën e ujit.
Ky produkt ndryshon nga ata që përdoren për pastrimin e duarve, pasi nuk e ka aromën e alkoolit. Ai formon një shtresë të hollë e të lagësht që pastron lëkurën dhe nuk ka erë.
22-vjeçarit i erdhi ideja një ditë dimri në shtëpinë e tij të varfër në fshat, kur një shok i tha se e lara ishte bezdi e madhe në mungesë të ujit të ngrohtë. “Ai përtonte dhe shpesh thoshte ‘pse dikush nuk shpik diçka që thjesht ta vësh në lëkurë e të mos kesh pse të bësh banjë?’”, ka treguar Marishane.
Ai filloi menjëherë të kërkojë me anë të telefonit të tij në Google dhe Wikipedia për të gjetur formulën. Gjashtë muaj më pas shpiku “Dry Bath”, për të cilin siguroi edhe një patentë.
Produkti ka filluar të përdoret nga kompanitë e fluturimit për udhëtimet e gjata dhe nga qeveritë për ushtarët në front.
Marishane thekson se produkti i tij do të ndihmojë në kursimin e ujit në pjesët e varfra të globit.

Jenkins: Kosova ka perspektivë euroatlantike

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti të enjten në një takim, drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin e BE-së në Zyrën e Jashtme dhe të Commonwealth britanik (FCO), Owen Jenkins.
Ministri Hoxhaj e ka falënderuar diplomatin Jenkis për mbështetjen që ai dhe shteti i tij kanë dhënë për Republikën e Kosovës në shtetndërtimin e brendshëm dhe në konsolidimin ndërkombëtar të saj.
Ministri Hoxhaj e njoftoi diplomatin britanik për progresin që po arrihet në Kosovë, avancimin e proceseve të brendshme dhe forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, drejtori për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin e BE-së në Zyrën e Jashtme dhe të Commonwealth britanik shprehu vlerësimin për reformat që janë ndërmarr në Republikën e Kosovës dhe shprehi bindjen se Kosova ka perspektivë të qartë euroatlantike.

Përse në Serbi po fshihen detajet për Kosovën?

Opinioni në Serbi mësoi indirekt se për çfarë është rënë vërtetë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është një shenjë që tregon se politikanët nuk e kanë kuptuar seriozisht mesazhin nga zgjedhjet e kaluara.
Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës Robert Cooper vizitoi Beogradin, para së gjithash për të inkurajuar vazhdimin e dialogut teknik, vlerëson analisti politik Dusan Janjic.
“Një tjetër arsye që është specifike për Beogradin, sepse ajo nuk vlen për Prishtinën, është se autoritetet lokale, në veçanërisht presidenti serb dhe kabineti i tij duhet të njihen me të dhënat dhe bisedimet e deritanishme. Gjithashtu, ai dëshiron t’i informojë ata për detyrimet që kanë mbetur, si në nivelin e zbatimit ashtu dhe në çështjet që duhet të trajtohen. Pra, në tërësi unë mendoj që kjo së bashku me vizitën në Prishtinë është paralajmërim i vazhdimit të dialogut teknik”, thotë Janjic.
Profesori i shkencave politike Predrag Simic thotë për Deutsche Welle se vizita e Cooper-it është para së gjithash njohje me partnerët e rinj politikë, kryesisht për arsye se Serbia ka një president të ri. Në këtë kontekst, vëren Simic, befasia më e madhe është ndoshta lajmi që Tomislav Nikolic është i gatshëm të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Por, siç më duket mua, ky takim mund të kryhet vetëm me intonimin e dy himneve shtetërore dhe kjo do të nënkuptonte njohjen formale të Kosovës nga ana e Beogradit. Kështu që ne kemi tani shumë konfuzion, dhe unë mendoj se të paktën në këtë pikë, autoritetet në Beograd nuk kanë përgjigje të mjaftueshme lidhur me çështjen se cila është politika e re, përkatësisht politika e ardhshme e Beogradit ndaj Kosovës”, thekson Simic.
Kur është fjala për atë se çfarë është rënë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës në këtë dialog, rezulton se opinioni serb në mënyrë indirekte është informuar për detajet e këtyre marrëveshjeve. Vetëm kur u paraqitën pengesa për formimin e qeverisë, kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Dacic (SPS) njoftoi për hapjen e një zyre të Prishtinës në Beograd dhe anasjelltas, si dhe për një kod të ri telefonik për Kosovën.
Janjic beson se Dacic si anëtar i qeverisë do të duhej të ishte i informuar për këto çështje dhe se është abuzim politik që shfrytëzohet fakti se Borislav Stefanovic e ka kryer keq punën e tij. “Por që të jemi të qartë, ai e ka kryer keq punën e tij sepse ashtu e ka udhëhequr Boris Tadic. Ky i fundit e ka thënë qartë edhe në Kuvendin e Serbisë se ishte ai që duhej fajësuar, dhe se ai i udhëheq të gjitha këto negociata. Prandaj tani ekziston ideja e bashkësisë ndërkombëtare që bisedimet të zhvillohen në një nivel më të lartë në mënyrë që askush të mos të fshihet pas zyrtarëve më të ulët”, thotë Janjic.
Problemi është se ky lloj i mostransparencës nuk e dëmton vetëm Boris Tadicin dhe Borisllav Srefanovicin, por edhe interesat e Serbisë, paralajmëron Janjic. Tani shtrohet pyetja përse ata vendosën për të fshehur disa gjëra dhe të manipulojnë me ato, ka thwnw Janjic për Deutsche Welle.
“Arsyeja e parë është kuptimi i tyre i përgjithshëm i politikës si marketing. Një tjetër arsye është diçka që Tadic në njëfarë mënyre kishte marrë për obligim para disa vitesh me deklaratat e tij se ai do të gjejë një zgjidhje për Kosovën që do t’i kënaqte të gjithë, duke përfshirë këtu edhe Brukselin dhe Uashingtonin. Ai nuk kishte një zgjidhje të tillë kështu që mund të thuhet se ka bërë blof e si rrjedhojë zgjidhja e fundit duke e komplikuar çështjen është konsideruar të jetë gjëja më e mirë...”, ka thënë Janjic. 

Zyra administrative në veri nuk do të jetë politike

Një ditë pas emërimit në postin e shefes së Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës, Adrijana Hodzic ka thënë se kjo zyre nuk do të jetë politike, por do të ketë qëllim t’u dal në ndihmë qytetarëve serbë të veriut të Mitrovicës.
Hodzic i ka bërë këto komente gjatë një interviste për programin në gjuhen serbe në radion Blue Sky. “Unë mund të garantoj se ne do të veprojmë në planin teknik dhe praktik. Do të punojmë me qytetarët dhe politikën do ta lëmë për nivelin e lartë. Shpresoj se të gjitha palët si ajo e Beogradit dhe udhëheqja lokale që vepron në veri të Mitrovicës të mendojnë se kjo që unë po them është e vërtetë. Nuk kisha dashur që të politizohet kjo zyrë sepse në të vërtetë ne jemi këtu që qytetarëve t’ua mundësojmë një të ardhme më të mirë”, ka thënë Hodzic, raporton RTK.
Hodzic ka thënë se detyrë kryesore e kësaj zyre do të jetë ndihma për serbët e veriut të Mitrovicës në zgjidhjen e problemeve që kanë. Ajo gjithashtu ka thënë se zyra që ajo do të udhëheqë respekton dialogun Prishtinë-Beograd, por ka mohuar që si zyre të jetë pjesëmarrëse në këtë proces.
“Qëllim i kësaj zyre është që t’u dal qytetarëve përballë të gjitha kërkesave të e tyre. Natyrisht kjo zyrë do të respektoj dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe konsiderojmë se pjesëmarrja jonë në atë dialog e vështirëson njërën apo anën tjetër të sjellin zgjidhje të vërteta që mund të ndikojnë në kualitetin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo. 

Jahjaga takoi një delegacion nga Bosnja dhe Hercegovina

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti të enjten një delegacion nga Bosnja dhe Hercegovina, i përbërë nga parlamentarë, analistë, artistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave, ndërsa me këtë rast Jahjaga tha se në kuadër të procesit të decentralizimit, nga i cili kanë përfituar komunitetet e tjera në Kosovë, së shpejti do të mund të krijohet edhe një komunë ku komuniteti boshnjak përbën shumicën.
Gjatë takimit, Jahjaga ka theksuar se e ardhmja e Kosovës dhe e Bosnjë Hercegovinës, dy vendeve që kanë pasur një histori të rëndë dhe të dhimbshme, është integrimi në strukturat e NATO-s dhe të BE-së.
Ajo tha se integrimet euro-atlantike janë synim i të gjitha vendeve të rajonit dhe ato duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën në këtë rrugë.
Presidentja me këtë rast vlerësoi se Kosova është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti dhe po ndërton marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, ndërsa sipas saj, Bosnja e Hercegovina duhet të mundësojë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe të mallrave nga Kosova.
Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, që respekton të drejtat dhe liritë të të gjitha komuniteteve dhe vlerësoi angazhimin dhe përfshirjen e komunitetit boshnjak në jetën institucionale në vend.
Presidentja Jahjaga tha se në kuadër të procesit të decentralizimit, nga i cili kanë përfituar komunitetet e tjera në Kosovë, së shpejti do të mund të krijohet edhe një komunë ku komuniteti boshnjak përbën shumicën. 

Kushtet shtesë për Serbinë lidhur me Kosovën

 Pohimet e politikanëve serb se BE-ja nuk i ka caktuar Serbisë kushte të reja të ndërlidhura me Kosovën, janë vetëm formale. Ato kushte janë përsëritur disa herë nga zyrtarë të BE-s, shkruajnë mediet serbe.
E kushte shtesë për Beogradin, nëse dëshiron vazhdim të rrugës së euro-integrimit, janë: - Zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme midis Beogradit dhe Prishtinës (të cilat Beogradi, Prishtina dhe Brukseli i komentojnë në mënyra të ndryshme); Shpërbërja e institucioneve paralele në veri të Kosovës, e ku mendohet për institucionet arsimore dhe shëndetësore; Hapja e zyrës së Beogradit në Prishtinë dhe të Prishtinës në Beograd; Pezullimi i gjykatës në veri të Mitrovicës; Kodi i veçantë telefonik për Kosovën si dhe takimi në nivelin më të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës.
Gazeta serbe “Politika”, shkruan se është e vërtetë që të gjitha këto nuk janë qëndrime zyrtare të Komisionit Evropian, por është e vërtetë që ato i janë thënë palës serbe disa herë si qëndrime të shteteve më me ndikim të Bashkimit Evropian, transmeton “Express”.
Aleksander Vucic, ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Përparimtare të Serbisë, dje ka pohuar se hapja e zyrave nuk është kusht i BE-së, por që për to bisedohet prej dy-tre vjetësh.
Po sipas kësaj gazete, Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësuese së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Catherine Ashton, ka deklaruar se BE nuk ka përcaktuar kushte të reja për afrim të Serbisë kah BE-ja, por njëkohësisht ka përmendur qëndrimin e Këshillit Evropian i cili nga Serbia kërkon që nëpërmjet hapjes së dialogut të arrijë përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën.
Nuk janë të rastësishme as qëndrimet e Ivica Dacicit, shkruan kjo e përditshme, i cili në këto momente mban litarët në duar kur është në pyetje formimi i qeverisë së ardhshme.
“Mendoni se do të mundemi në qeverinë e cila pas tri ditësh do të thotë se duhet hapur zyra e qeverisë së Serbisë në Prishtinë dhe e qeverisë së Kosovës në Beograd”, është shprehur Dacic, lider i Partisë Socialiste të Serbisë.

Franca mbështet përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur

Franca mbështet Qeverinë e Kosovës në procesin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.
Kështu u tha në takimin ndërmjet zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ambasadorit francez në Kosovë, Jean Francois Fitou.
Në këtë takim, po ashtu u bisedua edhe për bashkëpunimin politik në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Francës, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, ku ministri Kuçi kërkoi mbështetjen e shtetit francez në themelimin e Akademisë së Drejtësisë.

Kryeqyteti do të bëhet me muze të holokaustit të shqiptarëve

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka deklaruar të enjten se Komuna e Prishtinës ka marrë iniciativën për krijimin e Muzeut Memorial në të cilin përmes dokumenteve, fotografive, video incizimeve, shkresave të ndryshme, do të argumentohej se çfarë ka ndodhur në fund të viteve të '90-ta këtu, tendencën që të bëhet shpërngulja/eksodi masiv i popullatës se Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe.
Mustafa këto deklarata i bëri në Arkivin e qytetit të Prishtinës, ku përuroi raftet e reja të arkivit që janë blerë me mjete të buxhetit komunal.
“"Ne këto ditë do të marrim iniciativën në Kuvendin Komunal që në vitin e ardhshëm ta ndërtojmë një muze, i cili do të jetë muze memorial, që do të përfshinte të gjitha ngjarjet e fundit të eksodit të popullsisë së Kosovës. Këtë muze do ta ndërtojmë afër stacionit të trenit, vendit prej nga janë deportuar qytetarët tanë. Do të mundësojmë që përmes fotografive, teksteve, dokumenteve, video prezantimeve dhe përmes ligjëratave, që do të mbahen, t'i informojmë qytetarët e Prishtinës, Kosovës dhe ndërkombëtarët se çfarë ka ndodhur në fund të viteve të '90-ta këtu, me tendencën që të bëhet shpërngulja masive e popullatës se Kosovës dhe të organizohet eksodi i popullatës", theksoi Mustafa, njofton “Koha”.
"Ne këtë duhet ta argumentojmë para qytetarëve, para familjeve që u ka ndodhur tragjedia me rastin e eksodeve, vrasjeve, torturave të ndryshme, por edhe para ndërkombëtarëve në mënyrë që të mbetet një histori e prezantuar në një muze të cilin ne do ta bëjmë me mjetet të Komunës së Prishtinës", tha ndër të tjera Mustafa. 

MPB: Raporti i Departamenti amerikan për Kosovën objektiv

Ministria e Punëve të Brendshme e ka vlerësuar objektiv raportin e Departamentit amerikan të shtetit për trafikim me qenie njerëzore në Kosovë, që thotë se vendi është burim, destinacion dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasa Rasic ka mbajtur në konferencë për media lidhur me këtë çështje.
“Ministria e Punëve të Brendshme e mirëpret raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili është publikuar dje, lidhur me situatën në Kosovë, sa i përket luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore. Raporti është objektiv dhe ka gjëra të cilat mund të përmirësohen dhe disa veç janë përmirësuar që nga dita e përpilimit, deri në ditën e shpalljes së raportit”, ka thënë zv/ministri.
“Ne kemi arritur të analizojmë mirë raportin dhe mund të ju them se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Jemi të vendosur që me të gjitha forcat dhe mjetet në mënyrë institucionale të luftojmë kundër kësaj dukurie, e cila drejtpërsëdrejti cenon dinjitetin njerëzor”, tha zëvendësministri Rasic.
Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasa Rasic, tha se qëllimi Qeverisë së Kosovës është që t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që vendi të jetë i sigurt.
Kosova është gjithnjë burim, vend transit i mundshëm dhe destinim i trafikimit me qenie njerëzore. Numri më i madh i viktimave të trafikimit në Kosovë janë viktima me qëllim të eksploatimit seksual, por gjithashtu dhe eksploatimit në punë, por është edhe një dukuri që po vërehet kohëve të fundit, ajo e fëmijëve që kërkojë lëmoshë.
“Ne kemi bazën ligjore, ku ekzistojnë dokumente strategjike dhe operative dhe ne merremi me aktivitete të përditshme duke u përpjekur t’i përmbushim objektivat tona të parapërcaktuara. Do të vazhdojmë me gjitha kapacitetet tona të cilat gjithnjë e më tepër jemi duke i forcuar. Në këtë aspekt ekziston edhe dimensioni politik, sepse lufta kundër kësaj forme të krimit të organizuar ndërlidhet edhe me integrimet evropiane, liberalizimin e vizave etj”, theksoi Rasic.
Zëvendësministri Rasic tha se Qeveria e Kosovës ka arritur që të përmbush të gjitha standardet, por janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të reflektohet edhe në këtë raport.
Ai tha se ajo që deri diku është negative në raport është procedimi i lëndëve të atyre që janë të përfshirë në trafikim, si kryes të veprës dhe të përshirë në vepra penale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore.
Ndryshe, raporti i Departamentit amerikan të shtetit, në pjesën kushtuar Kosovës thotë se vendi është burim, destinacion dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.