Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka deklaruar të enjten se Komuna e Prishtinës ka marrë iniciativën për krijimin e Muzeut Memorial në të cilin përmes dokumenteve, fotografive, video incizimeve, shkresave të ndryshme, do të argumentohej se çfarë ka ndodhur në fund të viteve të '90-ta këtu, tendencën që të bëhet shpërngulja/eksodi masiv i popullatës se Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe.
Mustafa këto deklarata i bëri në Arkivin e qytetit të Prishtinës, ku përuroi raftet e reja të arkivit që janë blerë me mjete të buxhetit komunal.
“"Ne këto ditë do të marrim iniciativën në Kuvendin Komunal që në vitin e ardhshëm ta ndërtojmë një muze, i cili do të jetë muze memorial, që do të përfshinte të gjitha ngjarjet e fundit të eksodit të popullsisë së Kosovës. Këtë muze do ta ndërtojmë afër stacionit të trenit, vendit prej nga janë deportuar qytetarët tanë. Do të mundësojmë që përmes fotografive, teksteve, dokumenteve, video prezantimeve dhe përmes ligjëratave, që do të mbahen, t'i informojmë qytetarët e Prishtinës, Kosovës dhe ndërkombëtarët se çfarë ka ndodhur në fund të viteve të '90-ta këtu, me tendencën që të bëhet shpërngulja masive e popullatës se Kosovës dhe të organizohet eksodi i popullatës", theksoi Mustafa, njofton “Koha”.
"Ne këtë duhet ta argumentojmë para qytetarëve, para familjeve që u ka ndodhur tragjedia me rastin e eksodeve, vrasjeve, torturave të ndryshme, por edhe para ndërkombëtarëve në mënyrë që të mbetet një histori e prezantuar në një muze të cilin ne do ta bëjmë me mjetet të Komunës së Prishtinës", tha ndër të tjera Mustafa.