Një ditë pas emërimit në postin e shefes së Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës, Adrijana Hodzic ka thënë se kjo zyre nuk do të jetë politike, por do të ketë qëllim t’u dal në ndihmë qytetarëve serbë të veriut të Mitrovicës.
Hodzic i ka bërë këto komente gjatë një interviste për programin në gjuhen serbe në radion Blue Sky. “Unë mund të garantoj se ne do të veprojmë në planin teknik dhe praktik. Do të punojmë me qytetarët dhe politikën do ta lëmë për nivelin e lartë. Shpresoj se të gjitha palët si ajo e Beogradit dhe udhëheqja lokale që vepron në veri të Mitrovicës të mendojnë se kjo që unë po them është e vërtetë. Nuk kisha dashur që të politizohet kjo zyrë sepse në të vërtetë ne jemi këtu që qytetarëve t’ua mundësojmë një të ardhme më të mirë”, ka thënë Hodzic, raporton RTK.
Hodzic ka thënë se detyrë kryesore e kësaj zyre do të jetë ndihma për serbët e veriut të Mitrovicës në zgjidhjen e problemeve që kanë. Ajo gjithashtu ka thënë se zyra që ajo do të udhëheqë respekton dialogun Prishtinë-Beograd, por ka mohuar që si zyre të jetë pjesëmarrëse në këtë proces.
“Qëllim i kësaj zyre është që t’u dal qytetarëve përballë të gjitha kërkesave të e tyre. Natyrisht kjo zyrë do të respektoj dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe konsiderojmë se pjesëmarrja jonë në atë dialog e vështirëson njërën apo anën tjetër të sjellin zgjidhje të vërteta që mund të ndikojnë në kualitetin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo.