Rexhepi përsëritë, policia do të pengojë zgjedhjet serbe

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se policia ka plan operativ për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ai ka thënë po ashtu se kushdo që përpiqet që të pengojë policinë në kryerjen e punës së saj, do të arrestohet.

 “Plani operativ i ka tri komponente: e para është zbulimi i informacioneve se ku nisin dhe nëse zgjedhjet po organizohen diku; e dyta është pengimi i tyre, konfiskimi i materialit zgjedhor në kufi dhe pamundësimi i fushatës, që mund të krijojë tensione dhe të cenojë sigurinë në Kosovë; si dhe e treta është konfiskimi i atij materiali që ia del të hyjë në Kosovë”, ka thënë ministri Rexhepi.
Zgjedhjet lokale të Serbisë mbahen më 6 maj. Serbia ka shpallur zgjedhjet edhe për disa komuna të Kosovës, veprim ky që është konsideruar i paligjshëm nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.