Lëvizja studentore për barazi “Studim Kritikë Veprim”, përmes një aksioni simbolik ka kërkuar nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës që të ç’bunkerizohet, pasi sipas tyre është shndërruar në bunker të atyre që merren me korrupsion dhe të cilët fshihen nga publiku i cili duhet t’i mbikëqyrë.
Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës i cili nuk është transparent dhe të cilit çdo muaj i plasin skandale financiare edhe pse i varfër, tashmë po e shpërfaq izolimin e tij edhe në nivel simbolik, duke u shndërruar në një bunker të njerëzve që përfliten në shoqërinë tonë për korrupsion.
“Rektorati i Universitetit e ka bërë të pamundur komunikimin me studentët duke u rrethuar me hekura e duke vënë personel sigurimi në porta. Për tu takuar me shërbyesit civil në këtë institucion duhet të caktohen termine joformale njëjtë si caktohen termine në agjencitë turistike për pushime verore. Mbase na duhet t’ia rikujtojmë Rektoratit të UP-së që studentët mund të kenë nevoja urgjente, aq më shumë në Universitetin me kaq shumë parregullsi. Qasja në këtë institucion publik dhe të studentëve nuk duhet të jetë me kaq shumë pengesa. Studentët e Universitetit kanë të drejtë t’i qasen lehtë shërbyesve civil të këtij institucioni”, theksuan ndër të tjera përfaqësues të kësaj lëvizje.
Sipas tyre, tash në kohën kur është marrë vendimi për zgjedhjet studentore në UP, Universiteti i Prishtinës nuk e ka bërë publik me kohë vendimin. “Marrja e informatave është bërë pothuajse e pamundshme. Kalimi i linjave telefonike nga njëra në tjetrën mund të zgjasë shumë, ndërkaq në fund informacioni i kërkuar jepet përgjysmë, ose nuk jepet fare”, thotë kjo lëvizje.
Sipas Rregullores për Zgjedhjet, informimi dhe administrimi i zgjedhjeve në UP është rregulluar dhe informacioni i kërkuar nga organizatat studentore duhet të jepet.
“Lëvizja Studentore për Barazi – STUDIM KRITIKË VEPRIM, do të angazhohet që hapësirat e Rektoratit të mbeten publike dhe që studentët të mund tu qasen atyre. Rektorati i UP-së nuk është bunker e as zonë ushtarake në çka e keni shndërruar”, thonë ata.