Përfaqësuesit e KFOR-it i kanë njoftuar të ashtuquajturat struktura politike serbe në veriun e Kosovës, me urdhrin e krahut jugor të NATO-së në lidhje me mbylljen e pikave kufitare në veriun e Kosovës. Serbët kanë deklaruar se nëse ndodhë një gjë e tillë do të bllokojnë të gjitha rrugët e veriut.
Ata madje kanë kërcënuar KFOR-i se nuk do të ketë më qarkullim të lirë në këtë pjesë të Kosovës, bën të ditur korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Mitrovica.
Koloneli Adolf Kondat, komandat i forcave të KFOR-it në veriun e Kosovën, të premten ia ka dorëzuar porosinë e komandantit të KFOR-it, Erhadr Drews, të ashtuquajturve kryetarëve ilegalë të komunave të veriut të Kosovës si dhe të ashtuquajtur kryetar të qarkut të Mitrovicës.
Porosia thekson se nga komanda e NATO-së në Napoli ka arritur urdhri që të mbyllen të gjitha rrugët alternative në veriun e Kosovës.
Pas pranimit të kësaj porosie, i ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka theksuar se iniciativat e këtilla të KFOR-it nuk shkojnë në drejtim të qetësimit të situatës.
“Serbët kurrë nuk do të pranojnë mbylljen e rrugëve alternative. Nëse ndodhë kjo, qytetarët serbë përsëri do të dalin në barrikada dhe do të bllokojnë të gjitha rrugët. Por, kësaj radhe bllokimi i rrugëve nuk do të jetë vetëm për EULEX-in. Edhe për KFOR-in dhe nuk do të këtë liri të lëvizjes”, ka thënë Pantic.
Marko Jaksic, lider i Këshillit Nacional Serb së ka shtuar se paralajmërimi i KFOR-it nuk është i mundshëm, sepse askush nuk ka të drejtë që serbëve në veri “t’ua ndalojë qarkullimin e lirë”. Sipas tij, KFOR-i e ka një dëshirë të tillë, “por që nuk është e realizueshme”.
“Ajo e cila për ne është shumë e vështirë dhe e rëndë është sjellja e xhandarmërisë së Serbisë, policisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, pasi që bllokimi i rrugëve shkon me xhandarmëri të Serbisë”, ka thënë ai.