Feith: Të vazhdohet me integrimin e romëve në shoqëri

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve (8 prill), inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë përpjekjet e saj për implementimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Feith në një deklaratë për media theksoi se projekti pilot për implementimin e plan programit të arsimit fillor në gjuhën rome dhe për kulturën dhe historinë rome si dhe ndërtimi i shtëpive të reja për komunitetin rom janë arritje të mëdha, por nevojitet akoma më tepër progres.
“Një shoqëri e qëndrueshme, shumetnike dhe demokratike kërkon përpjekje të vazhdueshme për të krijuar, mbështetur dhe financuar mekanizmat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit. Kushtet e jetesës së komunitetit rom në Kosovë dhe sfidat e tyre të vazhdueshme për qasje në arsimin bazë dhe shërbimin shëndetësor janë tepër të rënda. Unë kam besim se Qeveria do të vazhdojë të implementojë masa të prekshme për të përmirësuar integrimin e romëve në Kosovë”, tha Feith.