Kryeministri Hashim Thaçi do të kthehet nga Amerika pa takuar presidentin Barack Obama. Sipas njoftimit të qeverisë për aktivitetet në Washington, takimi me zëvendëspresidentin Joseph Biden i ka dhënë fund agjendës së Thaçit në Shtëpinë e Bardhë.
Të enjten , kreu i qeverisë takoi ish sekretaren amerikane Madeleine Allbright, e cila ritheksoi mbështetjen për Kosovën.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me gjasë do ta përfundojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa e takuar numrin një të këtij shteti, Barack Obama, shkruan “Express”.
Para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Thaçi ka udhëtuar drejt SHBA-ve me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, ku do të ketë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë.
Sido që të jetë, pritjet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në kushte anonimiteti kanë proklamuar një takim Thaçi –Obama, nuk kanë dalë të sakta.
Por, delegacioni i Kosovës të enjten në Washington ka takuar Zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, i cili kishte rezervuar një pritje për Thaçin në Shtëpinë e Bardhë edhe gjatë vitit 2010.
Sipas një kumtese, në takim është rikonfirmuar mbështetja e “fuqishme dhe e gjithanshme e SHBA-ve për Republikën e Kosovës”.