Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në konferencën lidhur me gjendjen dhe problemet e familjes bashkëkohore theksoi se një familje e shëndoshë garanton një shoqëri të shëndoshë që i ndërton bazat e një shteti që është në shërbim të qytetarit.
Në këtë konferencë të organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Fondacioni për Arsim dhe Kulturë, Jahjaga tha se familja ka qenë ajo që e ka mbajtur të gjallë, brez pas brezi, ëndrrën dhe aspiratën tonë për liri dhe pavarësi.
“Për të pasur një familje të shëndoshë, duhet të flasim hapur edhe për probleme, duke mbrojtur integritetin e familjes nga të gjitha fenomenet negative. Mos-heshtja ndaj problemeve është mënyra e vetme se si mund të ecim përpara dhe të ndryshojmë për të mirë”, tha Jahjaga.
Ajo u shpreh se familja e shëndoshë cenohet kur dhuna në familje tolerohet, kur fëmija nuk e gjen shembullin e qytetarit ideal tek prindi i vet dhe kur femra nuk ndjehet e sigurt nga më të afërmit dhe më të dashurit e saj.
“Ne si institucione dhe shoqëri e organizuar do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm, që familja jonë, si qelizë themelore e shoqërisë, të mos ndjehet e kërcënuar në asnjë segment të saj... Parimet e familjes bashkëkohore reflektojnë vizionin tonë të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri në të cilën të drejtat, liritë dhe fjala e çdo individi respektohet, si qytetar i denjë i Evropës”, u shpreh ndër të tjera Jahjaga.