Dell: Të gjitha partitë politike, të korruptuara

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell ka shfrytëzuar ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të suksesshëm të Institutit Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë për të mbajtur një fjalim 20 minutësh dhe goxha të ashpër për çështjen e korrupsionit në vend. Ai qysh në fillim të fjalimit të tij tha se kësaj radhe ka vendosur të flas seriozisht për këtë çështje.

Dell ka akuzuar spektrin politik në vend se nuk po bëjnë asgjë për ta luftuar këtë dukuri, madje sipas tij disa nga ata edhe po e fshehin korrupsionin për të thënë se edhe janë vetë pjesëmarrës në këtë çështje duke punësuar familjarët e tyre dhe duke dhënë tenderë për interesa personale.
“Qëndrimi ndaj korrupsionit duhet të ndryshojë. Nuk mund të qëndrojë botëkuptimi se ‘Është korrupsion vetëm kur e bën dikush tjetër’. Të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri tjetri duke thënë se ata janë të korruptuarit. Por, disa prej tyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t’ua gjejnë anëtarëve të familjeve të tyre ndonjë vend të mirë pune në Qeveri dhe t’ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të leverdishme afariste kur kjo gjë është në interesin e tyre. Më lejoni të jem i qartë nuk po përjashtoj asnjë parti nga ky pohim”, ka thënë Dell, transmeton Indeksonline.
Sipas tij, asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte që të investojë në një vend që, sipas tij, korrupsioni po bën kërdi. Ai nuk la pa akuzuar edhe mediat duket thënë se shpesh ka praktika kur gazetarët marrin para për të shkruar një artikull të caktuar.
“Të gjithë kemi dëgjuar për raste kur gazetarët janë paguar për të botuar artikuj të cilët promovojnë ose sulmojnë individë apo institucione në ndjekje të agjendave të tyre private. Për më tepër gazetat dhe mediat tjera shpesh janë pronë e individëve që kanë interesa të fuqishme politike personale dhe përdorin mjetet e tyre të shtypit për ta shpërndarë çfarëdo ngjarje sensacionale që do të çojë përpara kauzën e tyre dhe jot ë vërtetën. Përveç kësaj dëgjojmë shpesh që ndërmarrjet mediatike në Kosovë kanë shmangur pagesën e tatimeve”, ka thënë Dell.
Ndërkaq, edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, mbajti një fjalim para të pranishmëve në këtë ceremoni diplomimi.
Jahjaga tha se vlerëson lart dhe çmon aspiratat dhe përkushtimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për t’i shërbyer vendit, sundimit të rendit dhe ligjit.
“Kjo ngjarje ёshtё e rёndёsishme pёr arritjet tuaja, por edhe pёr vendin pasi konsolidimi i kapaciteteve profesionale tё gjyqёsorit dhe prokurorisё ёshtё njё nga elementet kyçe pёr njё shtet tё sё drejtёs”, ka thënë Jahjaga, duke shtuar se vetёm njё gjyqёsor i paanshëm, i pakorruptuar dhe i pandikuar, “do tё sigurojё fuqizimin e njё shteti funksional dhe demokratik qё ёshtё nё shёrbim tё nevojave dhe mbrojtjes sё qytetarёve tё tij”.
Ajo tha se Kosova gjendet në një moment të rëndësishëm pёr tё përmbushur, siç tha ajo, “ёndrrёn tonё tё integrimit nё Bashkimin Evropian”.