Gjatë vizitës në SHBA, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka realizuar takime në Kongresin amerikan me Kongresistin Eliot Engel, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet, arritjet dhe perspektivën e Kosovës në të gjitha drejtimet, e veçmas në atë të zhvillimit ekonomik e infrastrukturor.
Kongresisti Engel, e siguroi ministrin Mujota që SHBA-të dhe ai personalisht do të vazhdojnë ta përkrahin Republikën e Kosovës, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës.
Mujota u prit në një takim të veçantë në Departamentin e Shtetit edhe nga Raffi Gregorian, zv. Drejtor i Byrosë për çështje Evropiane. Në këtë takim janë biseduar çështje të rëndësishme për Kosovën dhe perspektivën e saj zhvillimore e integruese.
Një takim tjetër ministri Mujota ka realizuar në Departamentin e Transportit, me Ian Saunders në Drejtorinë Federale për Administrimin e Autostradave. Në të gjitha këto takime, Mujota shtroi nevojën e mbështetjes financiare të Kosovës në projektet e saj zhvillimore, që hapin perspektivë zhvillimi për Kosovën dhe rajonin.