Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerësoi të premten se nëse lejohen të mbahen zgjedhjet serbe në veriun e Kosovës atëherë do të dëmtohet dialogu, duke rrezikuar edhe dështimin e plotë të tij.
Në prezantimin e një analize lidhur me zgjedhjet lokale të Serbisë në veri, GSJP thekson se mbajtja ose jo e zgjedhjeve serbe në veriun e Kosovës përbëjnë testin për suksesin ose dështimin e politikës së zgjerimit të BE-së përballë Serbisë.
Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në veri, gjithashtu, do të mundësoj që veriu i Kosovës të shndërrohet në pjesë të agjendës së dialogut.
Po ashtu theksojnë se është e dukshme që për BE-në, nëse jo në mënyrë eksplicite, është më i rëndësishëm ruajtja e qeverisë pro-evropiane në Beograd, sesa status quo-ja në veri të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, me këtë rast, ka dështuar që të shfrytëzonte dialogun për të detyruar Serbinë, përmes presionit të BE-së, që të mos organizonte zgjedhjet lokale në Kosovë. Qeverisë së Kosovës vazhdon t’i mungoj një sjellje më racionale, afatgjate dhe praktike në rikthimin gradual të autoritetit në veriun e Kosovës”, shprehet ndër të tjera Grupi për Studime Juridike dhe Politike.