Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kujdeset që organizimi i zgjedhjeve lokale në Ferizaj në kuptimin teknik të tyre të bëhet në përputhje me Ligjin për zgjedhjet lokale, por përgjegjësia në rast të manipulimit të tyre, sipas këtij institucioni, u takon partive politike.
Kështu ka njoftuar udhëheqësja e këtij institucioni, Valdete Daka.
“Ne si KQZ do të bëjmë gjithë ç‘është e mundur që teknikisht t’i organizojmë zgjedhjet ashtu siç parashihet me Ligjin mbi zgjedhjet lokale në fuqi. Por natyrisht që subjektet politike kanë përgjegjësinë e tyre lidhur me ditën e zgjedhjeve dhe ne si KQZ do të kujdesemi vetëm nga ana teknike e zgjedhjeve”, është shprehur Daka, raporton Koha. Sipas Dakës, periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike do të fillojë më datën 3 prill për të përfunduar në orën 24, ndërsa periudha e fushatës zgjedhore do të jetë pesë ditë, do të fillojë nga 23 prilli dhe do të zgjasë deri më 27 prill.
Daka gjithashtu ka njoftuar se afati për aplikim për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve do të jetë dhjetë ditë para ditës së zgjedhjeve, të cilat do të organizohen me Ligjin aktual të zgjedhjeve lokale, i cili gjithashtu do të preket nga ndryshimet që i janë bërë Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.