Amerikani Steve Mahan është njeriu i parë i verbër që ulet prapa timonit të një automjeti që vozitet automatikisht nëpër rrugë.
Mahan ka humbur 95 për qind të shikimit të tij, ndërsa “ka vozitur” me mjaft kujdes nëpër rrugë me automjetin Toyota Prius, të cilin e ka përshtatur kompania Google.
“Kjo do të ma ndryshonte jetën, sepse më jep pavarësi dhe fleksibilitet që të shkoj në vendet në të cilat dua dhe duhet të shkoj”, ka deklaruar ai pas vozitjes.
Automjeti special është i pajisur me aparaturë me kërkues laser, i cili e lexon mjedisin dhe përgjigjet në sinjalet e GPS. Çmimi i automjetit është 70.000 dollarë.
Autoritetet anembanë botës po përgatisin plane që të mundësojnë lëvizjen e automjeteve që ecin vetë. Gjatë muajit të kaluar, shteti i Nevadës u bë i pari në SHBA që i legalizoi automjetet që voziten vetvetiu.