Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit të tij, Enver Hoxhaj dhe Vlora Çitaku udhëton të martën për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në SHBA Thaçi do të pritet edhe nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, presidenti Barack Obama, kanë bërë të ditur për KosovaOnline burime brenda zyrës së kryeministrit.
Delegacioni i Kosovës gjatë kësaj vizite do të zhvillojë takime edhe me zëvendëspresidentin e SHBA-së, Joe Biden, Sekretaren Hillary Clinton, ish sekretaren Madeline Albright dhe kongresistë e senatorë tjerë. Ndërsa, me ftesë të ambasadorit Cristopher Hill do të qëndrojë në Denver, ku do të mbajë ligjërata në dy universitete.
Thaçi në kuadër të vizitës në SHBA do të qëndrojë edhe në New York ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme në OKB.