Opozita mund t’i sjellë probleme partive në pushtet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, dje ka lëshuar kritika në drejtim të opozitës, e cila ka bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se edhe pa opozitën Kuvendi mund të vazhdojë të mbajë mbledhjet, atëherë kur në sallë janë më shumë se 61 deputetë.

Aktualisht pozita ka shtatë deputetë më shumë se opozita. Analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se nëse e tërë opozita është pajtuar për ta bojkotuar Kuvendin, atëherë mund t’i sjellë probleme partive në pushtet.
“Kjo mundet me qenë problem serioz për pozitën”, ka thënë Maliqi për Express, sipas të cilit Kuvendi mund të punojë nëse mobilizohet pozita dhe sjell të gjithë deputetët në seancë.
“Duhet të jetë mobilizimi i plotë i partive në pushtet”, shton ai. “Është njëfarë presioni ndërkombëtar për me i krye disa punë dhe opozita ndoshta e shfrytëzon rastin”.