Autobusët me shqiptarë bllokohen në Suboticë

Mbi dhjetë autobusë dhe shumë vetura të bashkatdhetarëve që vijnë kryesisht nga Gjermania janë ndalur në kufirin ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, në Suboticë, pasi që autoritetet serbe nuk lejojnë hyrjen e tyre për në Serbi.

Sipas dëshmitarëve, policët serbë po kërkojnë disa vërtetime dhe dokumente shtesë për të penguar me çdo kusht hyrjen në territorin serb. Mësohet se ka mbi dhjetë orë që këta udhëtarë janë duke pritur, kurse udhëtarët më të moshuar dhe fëmijët janë të stërlodhur.
Gazmend Buzuku, një nga udhëtarët, i ka thënë agjencisë Kosovapress se janë në pritje nëse do të lejohen të kalojnë përmes Serbisë, ose në të kundërtën do të kthehen në vendet prej nga kanë ardhur.