Me 29 për qind të votave, në mesin e tetë emrave në anketën elektronike “Kush do të jetë president i ardhshëm i Kosovës?”, Murat Jashari ka lënë pas Hashim Thaçin me 27 për qind, pastaj Albin Kurtin me 11 për qind, Adem Demaçin me 8 për qind, Atifete Jahjagën, Veton Surroin dhe Behgjet Pacollin me nga 7 për qind dhe në fund Sabri Hamitin me 4 për qind.
Anketa është bërë në mënyrë elektronike nga Kosovapress, nga siç thuhet 7 mijë respodentë. Ndërsa, ka qëndruar për më pak se një javë në dispozicion për t’u votuar.
I kontaktuar nga Kosovapress, Murat Jashari nuk ka dashur ta komentojë këtë “garë”, por ka falënderuar ata që e kanë votuar.
Analisti Behlul Beqaj ka një shpjegim pse Murat Jashari gjen rangimin më të lartë në anketa.
“Rangimi i Murat Jasharit reflekton gjendjen e pakënaqësisë të shumicës së qytetarëve me politikën e deritanishme”, thotë ai. “Mund të kuptohet edhe si shpresë që një personalitet i familjes së dëshmuar në baza kombëtare, patriotike, dhe një personalitet i arsimuar me tipare moderne, mund të paraqitet si strumbullar i interesave të shumta. Ky mund të jetë një argument që Murat Jashari ndoshta të ketë mbështetjen e shumicës edhe pse nuk është në struktura e nuk ka parti”.
Sa i përket kandidatëve nga shoqëria civile, Beqaj shprehet se gjasat janë të vogla për ta, sikurse edhe për kandidaten Aitifete Jahjaga. Sipas tij, krejt ata që nuk kanë mbështetje partiake, i kanë gjasat e vogla për të fituar.
“Shoqëria civile ka qenë më tepër bisht i pushtetit dhe nuk e ka lypë rolin që i takon. Nuk e kanë vetëdijesuar qytetarin që të vlerësojë kapacitetin intelektual dhe integral të kritereve të pavarur, por fuqinë e personalitetit e ka gjet tek ata liderë që kanë pushtet, e kjo nuk është ndëshkuar ende në Kosovë”, thotë ai.
Beqaj mendon se ndryshimet kushtetuese kanë qenë të domosdoshme, sikur që është i domosdoshëm edhe ndryshimi i qasjes politike të qytetarëve. Por, kjo e fundit, sipas tij, kërkon shumë kohë.