Thaçi uron për Ditën e Kushtetutës

Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e Kosovës në përvjetorin e katërt të miratimit të Kushtetutës.

Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli, është ndër datat më të rëndësishme të themelimit të Republikës së Kosovës.
Miratimi i Kushtetutës mundësoi rivendosjen e ekzistencës tonë kombëtare, duke na mundësuar krijimin e themeleve për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik, të bazuar në sundimin e rendit dhe ligjit dhe në mirëqenien sociale të qytetarëve, thuhet në mesazhin e kryeministrit.
Ditën e Kushtetutës së Kosovës, të gjithë qytetarët tanë e festojnë me ndjenjën më të lartë të krenarisë dhe të respektit, sepse ky dokument i lartë juridik është kurorëzim i luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet shtetëror.
Në katërvjetorin e miratimit të Kushtetutës, Republika e Kosovës ka konsoliduar institucionet demokratike, ka fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, po implementon reformat e gjithmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të integrimit, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi, duke uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.