Bullgari, zbulohen skeletet e vampirëve

Arkeologët bullgarë thonë se i kanë zbuluar dy skelete nga Mesjeta, të shpuar nëpër gjoks me shkopinj metali, për t’i parandaluar ata që të mos shndërrohen në vampirë.

Shefi i Muzeut Kombëtar të Historisë në kryeqytetin Sofje, Bozidar Dimitrov, ka thënë se të dy skeletet ishin zbuluar fundjavën e kaluar afër qytetit Sozopol në Detin e Zi – transmeton Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, besimet paragjykuese kishin çuar deri aty sa që njerëzit që kishin bërë keq gjatë jetës së tyre ishin shpuar me shkopinj metalikë nëpër eshtrat e gjoksit dhe zemër për shkak të frikës se pas vdekjes ata do të ktheheshin për ta pirë gjakun e të gjallëve.
Dimitrov ka theksuar se kjo praktikë kishte ekzistuar në disa pjesë të Bullgarisë, madje edhe në fillim të shekullit të kaluar.