Insistojnë në referendum

Referendumi, me të cilin serbët e këtyre komunave do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës, do të mbahet në datat e paralajmëruara, thonë përfaqësuesit e serbëve të veriut të vendit.

Slavko Stevanovic, drejtues i të ashtuquajturit Kuvend i Komunës së Leposaviqit, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se referendumi do të mbahet në mesin e këtij muaji.
“Përgatitjet janë duke u zhvilluar normalisht dhe referendumi do të mbahet më 15 shkurt në Leposaviq, ndërkaq, në komunat tjera më 14 shkurt. Mendojmë se kjo nuk i dëmton fare interesat e shtetërore të Serbisë”, thotë Stevanovic.
Por, Beogradi zyrtar kundërshton organizimin dhe mbajtjen e referendumit të serbëve të veriut, duke e quajtur atë të panevojshëm. Megjithatë, mediat serbe citojnë ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, të ketë thënë se Qeveria serbe nuk është duke bërë fushatë kundër organizatorëve të referendumit.
Përfaqësuesi i serbëve të Zveçanit, Dragisa Milovic, thekson se autoritetet e Beogradit nuk ua kanë shtruar serbëve të veriut asnjë argument të arsyeshëm pse nuk duhet të mbahet referendumi.
Ai shton se përfaqësuesit e serbëve të veriut tashmë u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë që ta vëzhgojnë mbajtjen e referendumit.
Në anën tjetër, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkovic, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, thekson se Beogradi zyrtar nuk e ka sqaruar kundërshtimin e tij lidhur me referendumin e paralajmëruar nga serbët e veriut.
“Përveç asaj që mund të dëgjohet nga Goran Bogdanovici, unë vërtet nuk kam dëgjuar kundërshtim të argumentuar qartë ndaj këtij aksioni që nënkupton referendumin”, thekson Trajkovic.