Gjermania nuk ndryshon qëndrimin

Pavarësisht mundësisë së arritjes së një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për “bashkëpunimin rajonal”, gjërat pak mund të ndryshojnë në takimin e radhës të Këshillit të BE-së, në mars, rreth dhënies së statusit të kandidatit Serbisë.

Ambasada gjermane në Prishtinë, në një përgjigje të shkurtër kthyer “Zërit”, ka konfirmuar që qeveria e këtij shteti nuk ka ndryshuar qëndrim në kushtin e vënë Serbisë.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Natyrisht se vendimi kryesor (dhënia e statusit të kandidatit Serbisë) nuk varet tërësisht vetëm prej nesh, por nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Ne e kemi nënvizuar kushtin që strukturat ilegale në veri duhet shpërbërë, pra mos harroni theksi është te strukturat ilegale. Ju e dini që ka struktura serbe që nuk janë ilegale - dhe kjo edhe me pajtimin e Qeverisë së Kosovës - gjithmonë nëse janë transparente. Por, e përsërisim edhe njëherë se strukturat ilegale duhet shpërbërë”, ka thënë Ambasada gjermane në Prishtinë.