LDK: PDK-ja rrënon strukturën e MPJ-së

Pas veprimeve joligjore për të ndërruar ambasadorët dhe pas punësimit të militantëve të PDK-së pa asnjë procedurë të rregullt dhe në kundërshtim me ligjin, struktura e PDK-së, e ndihmuar nga shërbimet e saj të instaluara në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e ka degraduar strukturën e njerëzve që kanë ndihmuar në ndërtimin dhe funksionalizimin e MPJ-së, thuhet në një komunikatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas LDK-së, problemet kanë filluar me largimin t Sekretarit të Përgjithshëm, Fitim Gllareva, “në vendin e të cilit kryeministri ka dërguar një njëri të vetin, pa asnjë formim dhe pa asnjë përvojë në këtë fushë, z. Nagip Skënderi”.
LDK thotë se “nëpërmjet tij dhe ‘vlerësimeve’ të komisioneve ndëshkuese që ka ngritur ky person, ditëve të fundit janë degraduar nga pozicionet”, katër udhëheqës të lartë të strukturës së MPJ-së: Elmaze Pireva, Jetmira Bërdynaj, Eqrem Haziri dhe Sami Halili.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga kryeministri dhe nga PDK-ja “që të heqin dorë nga veprimet e tilla të papërgjegjshme e delikuente”, dhe që institucionet “të lihen të qeta që të kryejnë punën e tyre”.
“Shërbimi i jashtëm nuk guxon të politizohet, ashtu siç po vepron PDK-ja, Hoxhaj dhe të tjerët që ka dërguar aty kryeministri. Politika e jashtme është një interes jetik kombëtar dhe jo interes i partive dhe i strukturave e grupeve joformale të interesit”, thuhet në kumtesë.