Përpjekje për lirimin e policëve, Rexhepi nuk flet

Policia e Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe me të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, që të bëhet trysni për lirim të menjëhershëm të dy zyrtarëve policorë, të cilët dje janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i pyetur se çfarë po bënë Qeveria për lirimin e policëve, nuk pranoi të flasë.

Rexhepi ka pohuar se të gjitha ato çka ka dashur t’i thotë, i ka thënë përmes komunikatave për medie dhe se nuk ka se çfarë të shtojë lidhur me rastin në fjalë.
“Më duket se ju i keni përcjell komunikatat dhe nëse i keni përcjell, jeni të informuar dhe se nuk kam çfarë të shtoj më tepër”, i ka thënë Rexhepi agjencisë Kosovapress.
Ndryshe nga Ministri Rexhepi, i cili nuk kishte se çfarë t’iu shtonte komunikatave për media të lëshuara që nga dje, nga ministria që ai drejton, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha se lidhur me kidnapimin e dy zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe, po bëhen përpjekje të vazhdueshme në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe me të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, që të bëhet trysni, të kërkohet lirimi i menjëhershëm i zyrtarëve policorë, që janë në mbajtje tek autoritetet e Serbisë.