Gëzimi i kosovarëve në relacion me BE-në duket se është i “dënuar” të mos zgjasë shumë, edhe pasi unioni i 27 shteteve evropiane publikoi hartën e Serbisë pa Kosovën, më saktë aty ku tregon të dhënat e një shteti që aspiron anëtarësimin në BE.
Më 29 shkurt të këtij viti, BE e ka bërë edhe një ndarje, tash të Kosovës, saktësisht aty ku kosovarëve iu dhemb më së shumti, veriun.
Në një njoftim të botuar në faqen e internetit të Komisionit Evropian është postuar edhe një “thirrje për propozime që do të kontribuonin në rritjen e kontributit në bujqësi dhe zhvillimin e sektorit rural”, e cila do të realizohej veçantë për veriun dhe veçantë për pjesën tjetër të Kosovës, edhe pse bëhet fjalë për të njëjtin projekt, shkruan gazeta “Zëri”.
Kjo ftesë e KE-së ka për qëllim që të rrisë kualitetin e prodhimeve bujqësore dhe mbrojtjen e ambientit. Fjala është për njoftimin me referencë të publikimit “Europe Aid/132-547/L/ACT/XK”.
Më saktë, ky “tender” i Komisionit Evropian në vlerë 4.5 milionë euro, para këto nga fondi i “Instrumentit të Paraanëtarësimit” (IPA) është ndarë në pesë fusha, e para është nënsektori që për cak ka industrinë e mishit, i dyti atë të produkteve të qumështit, i treti atë të frutave dhe perimeve dhe i katërti atë të drithërave.
“Tenderi” evropian e ka edhe fushën e pestë që përfshin të gjithë nënsektorët e mësipërm, por do të jetë veçantë për “Kosovën në pjesën veriore të lumit Ibër”.