Mund të mos dish shkrim e lexim, por me 500 euro mund ta marrësh patentën për shofer pa asnjë problem. Madje, pa hyrë fare në provim.
Mijëra shoferë të tillë qarkullojnë rrugëve të Kosovës me patentë, të marrë në mënyrë kriminale, falë një rrjeti të gjerë zyrtarësh të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës, shkruan “Koha Ditore”.
Kjo mënyrë e pajisjes së shoferëve me patentë është zbuluar nga hetimet e deritashme të Policisë së Kosovës.
Provat tashmë janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Nga të gjitha këto dëshmi, me e forta po konsiderohet dëshmia e ekzaminerit Samed Veseli, të cilën dëshmi hetuesja Valdete Gubetini dyshohet se ka dashur ta fshihte.
Veseli ka zbuluar para hetuesve rrjetin e njerëzve që kanë dhënë patentë shoferë të të gjitha kategorive. Ai është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe nuk ka hezituar të tregonte gjithë çfarë ka ditur duke përmendur emra konkretë.
Pavarësisht dëshmisë që ka ofruar, Veseli që mban provime të kandidatëve për patentë, vazhdon të mbetet i dyshuar.
Burime nga Policia kanë thënë se të dyshuar janë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ish sekretari i MI-së, Skender Gashi, koordinatori i Njësisë së patentë shoferëve, Burim Deliu, vëllai i gruas së Mujotës, Armed Ademi-pronar i kompanisë “Master Print” si dhe të gjithë udhëheqësit e njësive të patentë shoferëve.