Të respektohet marrëveshja për regjistrat kadastralë

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper insiston që Kosova duhet respektojë marrëveshjen për regjistrat kadastralë, duke kërkuar nga Prishtina të nxjerrë Ligjin për Agjencinë e Pronës, e cila është kompetente të shqyrtojë dokumentacionin kadastral. Institucionet e Kosovës këmbëngulin se marrëveshja për regjistrat kadastralë dhe marrëveshjet e tjera nuk po respektohen nga Serbia.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për lehtësimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper konsideron që Serbia dhe Kosova po i bishtnojnë zbatimit të marrëveshjes për kadastrat.
Juri Laas zëdhënës i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se BE-ja kërkon përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes. Ai ka theksuar se pikërisht rreth kadastrave, Cooper në takimin fundit ka kërkuar respektim të marrëveshjes nga Prishtina, raporton RTK.
“Kosova duhet të nxjerr ligjin mbi Agjencinë Kosovare të Pronës. Kjo është ajo që duhet të bëjë ana kosovare rreth marrëveshjes”, ka thënë Laas.
Shefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha thotë se asnjë pengesë nuk është nga ana e Kosovës.
“Nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë apo mangësi në zbatimin marrëveshjes. Serbia është ajo që duhet të na i dorëzojë librat kadastralë, e që deri më tani nuk kemi asnjë hap nga ana e tyre në këtë drejtim”, ka thënë Meha.
Me marrëveshjen për Kadastrat është paraparë që regjistrat kadastralë t’i jepen për verifikim një agjencie teknike të përkohshme ose Agjencisë së Pronës. Por, kjo e fundit nuk e ka ligjërisht në mandatin e saj trajtimin kësaj çështje.
Zëvendësshefi i kësaj agjencie, Xhevat Azemi ka thënë se çështja e marrjes së dokumenteve në shqyrtim nga AKP kërkon së pari miratim ligji.
“BE është përcaktuar që shqyrtimin dhe verifikimin dokumenteve kadastrave ta bëjë sekretariati i AKP-së e ne na duhet ligji për t’u marr me këtë”, ka thënë Azemi.
Marrëveshja për regjistrat kadatsralë është njëra nga shtatë ë marrëveshjet e arritura në bisedimet e ashtuquajtura teknike midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së.