Inaugurohet objekti i Agjencisë për regjistrim civil

Është inauguruar të mërkurën në Prishtinë objekti i ri i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa pritet që me këtë të lehtësohet marrja e dokumenteve për qytetarët e Prishtinës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, me këtë rast theksoi se është krenar që po inaugurohet ky objekt, i cili është i përgatitur shumë mirë teknikisht dhe që do të jetë në shërbim të qytetarëve të Prishtinë.
“Këtu do të vendosen Qendra Komunale për Regjistrim Civil dhe Qendra Komunale për Regjistrim të Automjeteve dhe pjesa e gjendjes civile për vulat apostile. Po ashtu do të vendosen pjesa më e madhe e Agjencionit të Regjistrimit Civil, përveç pjesës së prodhimit të dokumenteve për të cilin do të ndërtojmë një objekt tjetër, që do të ketë kushte të posaçme”, theksoi Rexhepi.
Ai tha se objekti do të krijojë kushte optimale për të punësuarit, ku do të jenë diku rreth 150 zyrtarë që do të punojnë, në të njëjtën kohë edhe për qytetarët e Prishtinës, që deri më tash është dashur në shumë vende të shpërndara për të marrë dokumentet dhe për të bërë aplikimet, ndërsa tash të gjitha janë të koncentruar në një vend.
“Ky objekt ka mbi 4 mijë e 500 metra katrorë hapësirë, është gjashtë kate dhe ka kushtuar më shumë se 2 milion e 500 mijë euro. Pra një objekt që ka marrë një kosto solide, janë shumë të shtrenjtë, por janë reprezentativë”, tha ministri Rexhepi.