Kryetari i Kuvendit i Republikës se Kosovës, Jakup Krasniqi, të hënën pasdite, ka dërguar një mesazh urimi me rastin e 9 Prillit, Ditës se Kushtetutës.
“Dita e miratimit të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, është një ditë e shënuar në kalendarin tonë shtetëror. Miratimi i Kushtetutës, si akti ligjor më i lartë i një shteti, shpreh vullnetin e lirë të popullit të Republikës se Kosovës”, thuhet në mesazh.
“Mbi bazën e Kushtetutës së vendit tonë, ne kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të konsolidojmë institucionet tona demokratike, me anë të së cilave promovohen vlerat dhe vendosmëria jonë për të krijuar mundësi të barabarta për çdo qytetar të Republikës së Kosovës”.
“Është detyrë e secilit prej nesh që të kontribuojmë në fuqizimin e shtetit, shtrirjen e sundimit te ligjit, si dhe në zhvillimin e demokracisë, në mënyrë që të sigurojmë një të ardhme të sigurt dhe me perspektivë edhe për brezat e ardhshëm”.