Politika dirigjon mediat

Implementimi i dobët i legjislacionit, mosfunksionimi i gjyqësorit, institucionet publike te politizuara, përfshirë edhe redaksitë dhe si rezultat i kësaj ka mungesë të pavarësisë, presion politik, interesa politike dhe të biznesit që ndërhyjnë në lirinë e te shprehurit në media. Gjatë viteve të fundit është vërejtur edhe ndikimi i politikës në media, ku shumica prej tyre janë të varura nga mjetet financiare dhe reklamat e Qeverisë. Këto ishin disa nga vlerësimet që u dhanë të hënën në një tryezë, ku UNDP-ja në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës kanë bërë publikimin e Dokumentit të Veprimit për Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për zhvillim dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, Osnat Lubrani, tha se implementimi i dobët i legjislacionit, mosfunksionimi i gjyqësorit, institucionet publike të politizuara, përfshirë edhe redaksitë, janë disa nga problemet me të cilat po përballen mediat në Kosovë, transmeton rtv21.
Ajo tha se raportet e UNDP-së vazhdimisht kanë treguar se publiku në Kosovë sheh një problem të madh me lirinë e të shprehurit në media, mbi 60 për qind e pjesëmarrësve e identifikojnë këtë si një problem.
Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti tha me këtë rast se mediat në Kosovë janë duke u përballur me probleme të mëdha sa i përket raportimit për dukuri të ndjeshme në shoqëri, kur dihet se ka ndikime të mëdha nga politika dhe grupet e interesit. Ai tha se, pavarësisht kësaj, e vërteta duhet të thuhet.
Ndërsa Lulzim Ahmeti nga UGK-ja ka potencuar se edhe bizneset janë grupe që bëjnë presion e kërcënime ndaj fjalës së lirë.
Ndryshe, ky raport ka nxjerrë edhe një sërë rekomandimesh që i sugjerohen AGPK-së që t’i zbatojë. Këto rekomandime, kreu i AGPK-së i ka mirëpritur dhe ka shpresuar se ato do ta ndihmojnë punën e tyre.