Dell optimist për zyrën në veri të Mitrovicës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e zyrës administrative në veri të Mitrovicës. Sipas tij, ky vendim i qeverisë demonstron edhe një herë përkushtimin e saj për mirëqenien e qytetarëve të vet pa marr parasysh përkatësinë etnike të tyre dhe përkushtimin e mëtejmë të Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë me përmbushjen e Planit të Ahtisarit edhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të këtij viti.

I pyetur nga gazetarët, nëse do të ketë sukses formimi nga Qeveria e Kosovës i zyrës administrative në veri të Mitrovicës, Dell është shprehur optimist, duke thënë se që nga korriku i vitit 2010, kur në veri të Mitrovicës është hapur zyra për shërbime kanë qenë më shumë se 10 mijë qytetarë nga ajo anë, të cilët i kanë marrë shërbimet e tyre dhe se 8 mijë prej tyre kanë qenë serbë, raporton Kosovapress.
Këto komente ambasadori amerikan Christopher Dell i ka bërë sot nga Hoça e Madhe, ku ishin për vizitë bashkë me zëvendëskryeministrin Slobodan Petrovic dhe kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi.
“Jam shumë optimist, sepse mendoj se kjo demonstron edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mirëqenien e qytetarëve të vet, pa marr parasysh përkatësinë etnike të tyre dhe përkushtimin e mëtejmë të qeverisë së Kosovës që të vazhdojë më përmbushjen e planit të Ahtisarit edhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të këtij viti, në mënyrë që të krijojë edhe mundësitë për hapjen e komunës së re atje dhe për zgjedhjet e mëvonshme”, ka thënë Dell.
Ndërsa, lidhur me incidentin e djeshëm në një fshat të Komunës së Klinës, me ç’rast janë djegur dy shtëpi të serbëve, Dell ka thënë se ky akt nuk do të ndikojë në kthimin e qëndrueshëm të serbëve në shtëpitë e tyre.

Djegien e shtëpive të dy familjeve të komunitetit serb në fshatin Dresnik, e kanë dënuar drejtues të institucioneve të Kosovës, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe që kryesit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë.