Hoxhaj kërkon mbështetje në New York

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime me shumë diplomatë amerikanë, përfaqësues të Senatit të SHBA-ve dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë të administratës amerikane.

Ai do të ketë takime edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Hoxhaj do të kërkojë nga përfaqësuesit e këtyre shteteve që ta njohin sa më parë pavarësinë e Kosovës.
Më 8 shkurt, ministri do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku do të prezantohet dhe diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.
Hoxhaj para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, do të shpalosë progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Kosovë, reformat e gjithëmbarshme që po realizohen nga institucionet kosovare, si dhe për aspekte të tjera të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Në KS të OKB-së, ministri kosovar do të kërkojë mbështetje për shpërbërjen dhe largimin e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës, si parakusht për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin.