Miratimi i dy projektligjeve, atij për Hoçën e Madhe dhe Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, duket se nuk do të jetë aq i lehtë, për faktin se nuk janë bërë ndryshimet e propozuara, dhe si të tilla, nga opozita konsiderohen ligje që i bëjnë dëm Kosovës. Kundërshtime për këto dy projektligje vijnë edhe nga deputetë të caktuar nga koalicioni qeverisës.
Mbledhja e fundit e Komisionit për bujqësi, pylltari dhe mjedis e planifikim hapësinor, nuk ka rezultuar ashtu siç ka pritur kryetari i komisionit, deputeti i PDK-së, Nait Hasani.
Neni 16 i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, si më problematiku ka mbetur i njëjti, siç është propozuar nga Qeveria. Ky nen përcakton rolin kyç të Kishës Ortodokse në qendrën e Prizrenit. Hasani tha për Radio Kosovën se disa ndryshime janë bërë, por karakteri kryesor i ligjit ka qenë neni 16. Sipas tij, ky nuk është ligji për të cilin ka nevojë Prizreni.
Anëtari i Komisionit për bujqësi nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili është larguar nga grupi punues për amandamentimin e këtyre dy ligjeve, tha se institucionet fetare nuk do duhej të kishin autoritet mbi qendrën dhe nuk duhet lejuar që në trashëgiminë kulturore të ketë ndikime politike, ngase thellon ndarjet etnike e fetare. Sipas tij, me mënyrën se si është plotësuar ligji, edhe Hoça e Madhe shndërrohet në instrument politik
Këto dy ligje, pa ndryshimet e kërkuara, nuk do ta kenë as mbështetjen e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri tha për Radio Kosovën se lidhja mes mbështetjes së Rezolutës për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe këtyre dy ligjeve, është e paqëndrueshme.
Përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se këto projektligje nuk e pengojnë përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, por zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon ndryshe.
“Këto janë kërkesë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, por ajo çka mund të them është që ne do t’i kryejmë obligimet tona. Nuk do të ketë asnjë veprim që do të jetë më shumë se Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Kuçi.
Sipas Kryetarit të Komisionit për bujqësi, Nait Hasani, aktualisht në Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit ka mbetur të vendoset vetëm për Këshillin Zbatues dhe Monitorues, se cili do të jetë roli i tij në trashëgimi dhe se a do të jetë ky këshill bartës i të gjitha objekteve kulturore e historike të Prizrenit.
Sipas Kryetarit të Komisionit për bujqësi, Nait Hasani, aktualisht në Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit ka mbetur të vendoset vetëm për Këshillin Zbatues dhe Monitorues, se cili do të jetë roli i tij në trashëgimi dhe se a do të jetë ky këshill bartës i të gjitha objekteve kulturore e historike të Prizrenit.