Sonte mbahet festivali Coachella, një prej festivaleve më të mëdha në botë, ndërsa ka pasur shumë fjalë për atë që kanë mundur të përgatisin dy prej reperëve elitarë, Snoop Dogg dhe Dr. Dre.
Reperët e lartpërmendur do të sjellin në skenë nga ‘varri’ dy reperët e ndjerë, legjendarin Tupac dhe Nate Dogg. Që të dy këta do të performojnë në skenën e festivalit si holograme, në atë që konsiderohet ribashkimi i gjithë krahut perëndimor të hip-hopit ‘West Coast’.
Nate Dogg vdiq vitin e kaluar pas një sëmundje, teksa Tupac është vrarë në Las Vegas në vitin 1996.
Besohet se edhe Eminem dhe Warren G do të jenë të pranishëm dhe do të performojnë në koncertin më të madh të repit të parë ndonjëherë. Artistët ishin të gjithë pjesë e ‘West Coast’, krah i hip-hopit ky i përfshirë në një luftë me rivalët e lindor ‘East Coast’ në vitet e 90-ta.
“Snoop Dogg dhe Dr. Dre duan që ky të jetë koncerti më i madh i hip hopit në histori. Teknologjia e hologramëve është shumë e përsosur. Mariah Carey e kishte përdorur këtë në një prej koncerteve të saj, por kurrë nuk është përdorur ashtu siç do të përdoret tani. Do të jetë fantastike, një prej festivaleve më të mira të të gjitha kohërave që do të mbahet mend një kohë të gjatë”, ka theksuar një burim.