Bllaca: Armën për vrasje e kam marrë nga Azem Syla

Nazim Bllaca ka thënë se kishte ngrënë një darkë të mirë në një restorant në Prishtinë, natën e 6 gushtit 1999. Pak minuta më parë kishte vrarë një njeri. Për këtë vrasje kishin festuar...

Nazim Bllaca thotë se kishte vrarë Ibush Kllokoqin me një armë që e kishte marrë nga Azem Syla, deputet në Kuvendin e Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Dëshmitari bashkëpunues, që po pretendon se ka qenë pjesë e një skuadre ekzekutimesh të Shërbimit Informativ të Kosovës, ka treguar të premten para një trupi gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për motivin e kësaj vrasjeje dhe misionin që kishte ky shërbim: kërcënime, rrahje dhe vrasje. Pikërisht për vrasje ka folur më së shumti.
“Te hotel ‘Victory’ nga vetura ka zbrit Faruku (Fahredin Gashi v.j.) dhe e ka marrë armën ‘Shkorpion’ nga një veturë tjetër xhip, ku ka qenë Azem Syla dhe shoferi i tij. Xhipi ka qenë 10 metra larg nesh”, ka thënë Nazim Bllaca, gjatë dëshmisë kundër Sadik Abazit, Fahredin Gashit, Shpresim Ukës, Shaban Sylës, Bekim Sylës, e Driton Hajdarit.